Kriza e moshës së mesme e demokracisë


Gazeta Express
20 Maj 2019 12:04

Interneti, përkundër të gjitha premtimeve të tij rreth grumbullimit të njohurive botërore në një hard-disk, në fakt e mbyll mendjen tonë, duke ia përshtatur atë njohurive për të përforcuar paragjykimet tona politike. Facebook ushtron një despotizëm të butë, delikat, dhe në një aspekt, kërcënimi i tretë i madh që identifikon Ransiman është i krahasueshëm me të

Nga Jan-Werner Müller

Në fillim të vitit 2018, politologu i majtë holandez Cas Mudde, bëri një parashikim: 2017-ta, vuri në dukje ai, ishte viti kur akademikët garuan mes tyre për të shpjeguar dallgën populiste në dukje të pandalshme që kishte sjelle referendumin e Brexit në qershor 2016, dhe zgjedhjen e Donald Trumpit në nëntor të po atij viti.

Vitin e ardhshëm, mesazhi do të ishte: ”Demokracia është duke vdekur, por ju mund ta shpëtoni atë…nëse blini librin tim”. Tani në vitin 2019, mund të themi me siguri se parashikimi i tij ka qenë mëse i drejtë. Ka shumë fjalë apokaliptike lidhur me autoritarizmin, dhe është shfaqur një industri e vërtetë e mbrojtjes së demokracisë. Dhjetra libra, flasin në detaje mbi perspektivat e trishtueshme të demokracisë.

Prej tyre spikat libri i Stiven Levickit dhe Daniel Ziblat: Si vdesin democracitë”, që ndalet tek krahasimet, dhe arsyet përse presidenca Trump mund të rrezikojë një nga republikat më të vjetra në botë. Në librin me një titull të ngjashëm “Si merr fund demokracia”, Dejvid Ransiman, teoricienisti më origjinal i demokracisë në Britani, ofron një alternativë bindëse për produktet që vijnë nga “linja e montimit” të “industrisë” së demokracisë.

Profesori i Universitetit të Kembrixhit, është tejet i kujdesshëm ndaj analogjive historike. Ai fiskohet pas fashizmit dhe rasteve të tjera të vetë-shkatërrimit demokratik, katastrofën e ndryshimeve klimatike, dhe mbi të gjitha, mbi mënyrën se si rrjetet e medias sociale po dëmtojnë demokracitë në mënyra delikate, por me pasojë potencialisht fatale.

Libri i Levickit dhe Ziblat, nis me atë që tani duket të jetë një vëzhgim i pakontestueshëm: demokracitë nuk lindin me bujë (si në rastin e një grushti ushtarak); ato gjithashtu mund të marrin fund në heshtje. Është e vërtetë, që grushtet e shtetit nuk janë zhdukur krejtësisht – kujtoni Egjiptin dhe Tajlandën vitet e fundit – por situata jonë është qartësisht e ndryshme nga epoka e Luftës së Ftohtë, kur grushtet e shtetit ishin shkaktare të treçerekut të demokracive që merrnin fund.

Në vend të tyre, ne përballemi sot me atë që industria e mbrojtjes së demokracisë e quan “erozioni”, “rënie” ose “përmbysje” demokratike. Zgjedhja e këtyre metaforave, për të përshkruar demokracinë nuk është neutrale; termat sugjerojnë procese thuajse natyrore, kur në fakt dështimi i demokracisë është rezultat i shumë vendimeve të ndërgjegjsshme.

Levicki dhe Ziblat, këmbëngulin me të drejtë se Trump nuk është një demagog i vetmuar që doli nga askundi. Përkundrazi, argumentojnë ata, ai u prodhua nga një kulturë e “polarizimit ekstrem”, që krijoi një mjedis në të cilin “garancitë” demokratike në fillim u humbën, dhe tani mund të jenë tërësisht të shkatërruara.

Për këtë, ata bëjnë me faj jo vetëm elitat e krahut të djathtë; por edhe popullin amerikan në tërësi. Jepu qytetarëve mundësinë, që të marrin pjesë në garën paraprake brenda partive. Lërini ata të flasin sipas mendjes së tyre në mediat sociale, paralajmërojnë ata, dhe demokracinë e merr lumi.

Në mungesë të rojtarëve të demokracisë – udhëheqësve partiakë, dhe gazetarëve profesionistë, që mbështesin normat e demokracisë – disa njerëz të papërvojë mund të shkatërrojnë makinerinë që mundëson vetë-qeverisjen.

Ndërkohë Ransiman thekson:”Nëse Trump është përgjigja për të metat e deokracisë, atëherë ne nuk po shtrojmë pyetjen e duhur”. Ransiman është shumë mirënjohës, për pjesën më të madhe të asaj që prodhon sot industria e demokracisë. Ai, nuk sheh ndonjë rrezik real për rikthimin e fashizmit.

Tek e fundit, “shoqëritë tona janë shumë të ndryshme – shumë të pasura, shumë të vjetra, shumë të lidhura me rrjetin – dhe njohuritë tona kolektive historike mbi atë që gaboi asokohe, janë shumë të ngulitura”. Dhe në fakt, ne nuk jemi dëshmitarë të një mobilizimi gjithëpërfshirës, dhe as të militarizimit të shoqërive.

Megjithatë Ransiman, nuk i reziston deri në fund mospërdorimit të analigjive historike. Për të, është i rëndësishëm krahasimi përkatës me Epokën e Artë të fundit të shekullit XIX-të, që pa ndryshime të shpejta teknologjike, rritje të pabarazisë dhe shumë populizëm. Por, e bën këtë krahasim vetëm për të nxjerrë në pah, se sa ndryshe janë këto epoka mes tyre.

Gjatë asaj periudhe, dhe epokës progresive që pasoi, kishte ende atë që ai e quan liri në sistemin politik, ndaj një brez social demokratësh në të dy anët e Atlantikut, qenë në gjendje të zgjeronin të drejtën e votës, të zgjeronin bazën tatimore, dhe mbi të gjitha, të thellonin dhe zgjeronin ndjenjën e besimit të publikut tek shteti.

Sot, kjo hapësirë mungon, dhe për pasojë, qytetarët i shohin institucionet politike si jo llogaridhënëse. Në të kundërt, për Levickin dhe Ziblat, ka ende shumë hapësirë, dhe demokracia mbetet për t’u realizuar plotësisht në Shtetet e Bashkuara. Por, për Ransiman, demokracia është e lodhur. Dhe kjo lodhje nuk është një gjendje terminale, vëren ai, por më tepër mjerimi i një krize të mesit të moshës.

Njerëzit nuk janë më të stimuluar nga perspektiva e ndryshimit, në të cilin mund të fitojnë të gjithë. Nëse qytetarët veprojnë, ata e bëjnë këtë vetëm për të fituar diçka që ata mendojnë se e kanë humbur, gjë që do të thotë se një pjesë e madhe e energjisë së tyre shkon në fajësimin e atyre, që dyshohet se janë përgjegjës për humbjet.

Ndërkohë Ransiman, argumenton se demokracitë liberale mund të përfitojnë sigurisht nga mosha e tyre e mesme, por që s’mund të presin që të kthejnë entuziazmin e tyre rinor. Dhe nëse përpiqen ta bëjnë këtë, mund të përfundojnë duke pasur në krye një Trump, që duket si ekuivalenti politik i një motoçiklete, për burrat e moshës së mesme.

Analiza e Ransiman mbi moshën e mesme, nënkupton në mënyrë të pashmangshme se vdekja e demokracisë është duke ndodhur, dhe ai skicon 3 skenare kryesore për këtë. Një kërcënim  vdekjepurrës, argumenton ai, është ndryshimi i klimës, për të cilën ai thotë se mungon mençuria, për të frymëzuar veprimin e nevojshëm politik, për ta luftuar atë.

Një tjetër sfidë, thotë Ransiman, është Facebook, dhe rritja e rrjeteve social-media. Ai beson se interneti ka ndryshuar gjithçka, dhe se rrjetet sociale mund të shndërrohen në një rival të fortë për shtetin. Në pamje të parë, kjo duket e paimagjinueshme: fuqia e Facebook është lidhëse dhe jo shtrënguese.

Por, Runsiman thotë se Facebook ka autoritetin e vet: rrjetet e saj horizontale gjithashtu kanë një hierarki të madhe organizative, dhe nuk ka llogaridhënie ndaj institucioneve demokratike. Mbi të gjitha, thotë Ransiman, sfida e Facebook ndaj demokracisë është epistemologjike.

Gjigantët e internetit duan të na njohin, në mënyrë që të mund të na japin më shumë nga ajo që ne duam. Në të kundërt, demokracia është një formë e pasigurisë së institucionalizuar: Ju s’mund ta dini se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet, dhe në zhvillimet politike të ardhshme.

Ndërkohë, interneti, përkundër të gjitha premtimeve të tij rreth grumbullimit të njohurive botërore në një hard-disk, në fakt e mbyll mendjen tonë, duke ia përshtatur atë njohurive për të përforcuar paragjykimet tona politike. Facebook ushtron një despotizëm të butë, delikat, dhe në një aspekt, kërcënimi i tretë i madh që identifikon Ransiman është i krahasueshëm me të.

Kina, po e paraqet gjithnjë e më shumë veten, si një forcë e harmonisë globale. Ransiman mendon se kjo diktaturë miqësore ndaj tregut, është një rivale e vërtetë ndaj demokracisë.

Marrë me shkurtime nga “The Nation” – Bota.al

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart