Në Kinë, manjati në pension i pasurive të patundshme Ren Zhiqiang, i cili ka kritikuar Presidentin Xi Jinping rreth trajtimit të pandemisë, u dënua me 18 vjet burg nën akuzat për korrupsion.
Në një njoftim të martën të një gjykate të Pekinit, thuhej se 69-vjeçari Ren Zhiqiang u shpall fajtor për përvetësimin e një shume prej 16 milionë dollarësh nga një kompani shtetërore gjatë kohës që ai ishte drejtues i saj. Ai u shpall gjithashtu fajtor lidhur me akuza për ryshfet dhe abuzim me detyrën që sipas vendimit të gjykatës, i kanë shkaktuar kompanisë një humbje prej rreth 17 milionë dollarësh.
Gjykata tha se Ren i kishte pranuar të gjitha akuzat dhe se nuk do ta apelonte vendimin. Krahas dënimit me burg, ai u gjobit dhe me një shumë prej rreth 600,000 dollarësh.
Ren u arrestua në muajin mars pas publikimit të një artikulli ku kritikonte Presidentin Xi rreth një fjalimi që ai mbajti para 170,000 zyrtarëve një muaj më parë mbi përpjekjet e qeverisë për t’iu përgjigjur shpërthimit të koronavirusit. COVID-19 u zbulua për herë të parë në dhjetor 2019-s në qytetin e Wuhanit.
Ish-biznesmeni tha se “nuk pa një perandor që ekspozonte rrobat e tij të reja, por një klloun që i hoqi rrobat dhe këmbënguli se ishte perandor”, por pa e përmendur me emër Presidentin Xi. Ai kritikoi gjithashtu konferencën për fshehje të informacionit në lidhje me pandeminë dhe mbi dështimin për të mos vendosur askënd përpara përgjegjësisë.
Ren u përjashtua nga Partia Komuniste në korrik dhe u akuzua nga autoritetet në Pekin për keqpërdorimin e fondeve publike për shpenzime personale.
Marrëdhëniet e Ren Zhiqiang me partinë në pushtet kanë qenë të vështira edhe në shkuarën për shkak të kritikave të tij mbi ndrydhjen e fjalës së lirë dhe kërkesave për besnikëri të plotë ndaj partisë.
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...