Kriminelët me pozita të larta


Gazeta Express
17 Gusht 2019 10:36

Shkruan: Lis Bukuroca

Në vendet ku kriminaliteti udhëheqin shtetin, kushtet për vend të punës janë:

Lidhja fisnore

Nënshtrimi

Inteligjenca kriminale

Inteligjenca për të vjedhur dhe për të fshehur provat

Inteligjenca për të korruptuar dhe për t‘ u korruptuar

Inteligjenca nepotike

Të të qenit anëtar në një klan politik

Inteligjenca makiaveliste, (premtim publik, pa u skuqur, se do të luftojë krimin, nepotizmin dhe korrupsionin, pra pikërisht atë çfarë është vetë)

Dhe një diplomë (por jo kusht i domosdoshëm)

Nëse nuk plotësohen ato kushte, atëherë konkurruesi konsiderohet iluzionist i çmendur, naiv, i pamoralshëm, tradhtar, udbash, i cili dëshiron të futet në rrjetë për të dëmtuar e penguar mirëqenien e shtresës kriminale.

Ashtu si një nëpunës i thjeshtë që nuk mund të bëhet profesor i fakultetit të mjekësisë, edhe një njeri i drejtë, i moralshëm, i ndërgjegjshëm, nuk mund të marrë pozitë me përgjegjësi të lartë pa plotësuar kushtet e sipërpërmendura dhe pa poseduar ato zotësi të veçanta. Së paku të parën dhe të dytën.

Zakonisht atë që luftojnë ambasadorët me fjalë, do të duhej ta bënte opozita me vepra. Jo me deklarata si të parët, por me revoltë! Mosveprimi mund të shpjegohet si pajtim. Me fjalë krimi nuk mund të luftohet askund në botë.

Fjala ka peshë dhe pushtet te njeriu që ka Ftyrë, jo te i pafytyri! Ai banalizon denoncimin publik në liri të mendimit, apo edhe në shpifje!

Kosova nëse rivoton njerëzit, që me vite dëmtojnë mirëqenien e popullit, atëherë ai do të ketë dy mundësi: ose revolucion me mosbindje qytetare kolektive, ose arratisje masovike!

Meqenëse mërgim është më i lehtë se angazhimi për shtet të së drejtës, meqenëse ata janë kujdesur me pasion të madh çdo lider alternativ ta bëjnë poçavër,  atëherë njerëzit do të ikin, por nuk do të revoltohen. U ka ardhur edhe atyre në majë të hundës shteti i vet! Kjo do të thotë se në Kosovë do të shohim protagonistët e njëjtë edhe së paku nja njëzet vite, në mos edhe tridhjetë.

Shteti është ndërtuar sipas modelit të shteteve komuniste, ku kusht për vende udhëheqëse ishte jo dija, jo profesioni, por titulli partizan, i cili kishte më shumë vlerë se sa doktorata! Shteteve të ndërtuar në këtë mënyrë, u doli shpirti nga varfëria e popullit, megjithatë, ata bënin një dallim cilësor. Ata vdiqën edhe vetë kryesisht të varfër!

Ne kemi me ata një problem të madh: Si t’u bëhet e qartë, si t’u bëhet me dije, si t’u mbushet mendja, se injoranca e tyre proverbiale, por shkatërron shtetin dhe ardhmërinë e fëmijëve sot? Nëse ata do të pranonin këtë fakt, (tregues është gjendja ekonomike dhe izolimi) atëherë do të dëshmonin inteligjencë të madhe, por meqenëse nuk e kanë, do të mbeten tutje dhe populli do të përpiqet tutje të arratiset nga atdheu. Si dje nga Serbia!

Dje iknim nga frika se do t’ na mobilizon për të vrarë sllovenë, kroatë e boshnjakë, në fund se do të na vritnin edhe neve, por sot ikja bëhet nga mjerimi, nga varfëria dhe nga injoranca e klasës politike: Thjeshtë nga frika se do t’u mungojë buka fëmijëve!

Sidoqoftë, ikja është sot më e vështirë se në kohën e Jugosllavisë komuniste dhe izolimi nuk është në fuqi pse jemi popull i keq, por pse durojmë shkelësit e rrezikshëm të ligjeve në krye.

Se shumë prej tyre do të rivotohen nuk ka asnjë dyshim. Ata me punësime dhe me paga mujore për veteranët e rrejshëm, kanë siguruar vetes një bazë solide për pushtet dhe imunitet.

Te fundit


Kthehu lart