Krim pas krimi: 18 persona të vrarë brenda 9 muajve në Kosovë, u konfiskuan mbi 1000 armë


Gazeta Express
13 Nëntor 2019 13:56

8 persona janë vrarë nga gjuajtjet me armë brenda 9 muajve në Kosovë, ndërsa gjatë kësaj kohe, Policia e Kosovës ka konfiskuar plot 1084 të tilla. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i viktimave ka rënë, nga 29 sa ishte.

Për vite me radhë në vendin tonë ka pasur incidente të raportuara dhe raste penale, të cilat kanë ndodhur si pasojë e përdorimit të kundërligjshëm të armëve.

Armët pa leje, përkundër masave që janë marrë, po vazhdojnë të përdoren ende.
Në një përgjigje për Gazetën Metro nga Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, thuhet se sa i përket gjuajtjeve me armë, 18 persona kanë humbur jetën në këto raste për 9 muaj.

“18 persona ose 18 vrasje janë regjistruar me armë në 9 muajt e parë të këtij viti. Armët po vazhdojnë të përdoren në shumë raste, mirëpo ne shumicen e tyre i hapim për hetim kur ka rrezik të përgjithshëm”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, Zëdhënësi i Policisë ka theksuar se brenda kësaj periudhe, janë konfiskuar mbi 1000 armë pa leje.

“Brenda kësaj periudhe të njëjtë, domethënë gjatë 9 muajve, ne kemi konfiskuar rreth 1084 armë pa leje”, ka thënë Krasniqi.

Sidoqoftë, në krahasim me peridhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjuajtjet me armë dhe numri i viktimave siç duket ka shënuar rënie.
Siç kishte bërë të ditur kohë më parë Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, brenda 9 muajve të parë të vitit 2018 në Kosovë nga gjuajtjet me armë kanë vdekur 29 persona .

Ndryshe, në vitin 2010 në Kosovë është miratuar një ligj që sanksionon personat të cilët posedojnë armë pa leje, i cili sipas autoriteteve të vendit, ka qenë i hartuar konform konventave të ndryshme evropiane rreth përdorimit të armëve të zjarrit

Te fundit


Kthehu lart