Krejt çka ndodhi mbrëmë, prej debatit të ashpër deri te përleshja fizike mes Molliqajt e Abazit


Gazeta Express
12 Shtator 2019 7:31

Me përleshje fizike ka përfunduar debati mes dy kandidatëve për deputetë, atij nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, dhe atij nga koalicioni PSD-AAK, Dardan Molliqaj.

Gjatë një debati në Pressing, dy kandidatët për deputetë ishin tensionuar disa herë, por që nervozizmin e madh e kishin shfryrë menjëherë pas kishin dalë nga studio televizive.

Fjalët e Haki Abazit për përleshjen: “Kam qenë duke dalë nga korridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe dojshin me m’goditë. Ka hy Rexhep Hoti në mes dhe ashtu njëfarë situate e pakëndshme e kapjes për fyti e qëso senesh. Edhe një goditje në këmbë s’di ka më ka ardhë, se ishte një situatë komplet jo e mirë”, kishte thënë Abazi.

Fjalët e Molliqajt për përleshjen: “Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndihem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka deklaruar Molliqaj pas incidentit.

Vetëvendosja e quan bandit Dardan Molliqajn:

“Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë”.

“Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se slogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët. Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”, thuhet në deklaratën e VV-së.

Policia e Kosovës ka intervistuar mbrëmë të dyshuarit:

“Më datë 11.09.2019, rreth orës 22:55, Policia ka pranuar informatën lidhur me një incident në Fushë Kosovë, dhe njësitet e stacionit kompetent policor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku aty kane takuar njërin nga personat e përfshirë i cili është në proces të intervistimit dhe tani janë duke ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, në mënyrë që në konsultim me prokurorin kompetent të ndërmerren veprime të mëtutjeshme”, ka thënë për Sinjalin zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Fjalët e moderatorit se çfarë ndodhi pas debatit:

“I kam përshëndetur të gjithë mysafirët dhe jam bërë gati për ta nisur pjesën e dyte. Papritmas e kam dëgjuar një zhurmë të madhe në studio, jam kthyer dhe kam parë teksa plandosej për dysheme z. Haki Abazi. Kam dalë me nxitim në korridor dhe kam mundur ta shoh z. Dardan Molliqajn teksa hynte në lift dhe z. Rexhep Hotin që ishte në korridor. Nuk kam mundur të bisedoj me z. Molliqaj, as me z. Hoti. Nuk e kam parë situatën çfarë ka ndodhur pasi që isha në studio dhe ngjarja ka ndodhur jashtë saj.

Z. Abazi më ka thënë se është sulmuar fizikisht nga z. Molliqaj dhe shoqëruesi i tij”.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart