Krasniqi: Taksa u përdor si jorgan për t’i mbuluar problemet e Kosovës


Gazeta Express
21 Prill 2019 18:41

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka folur rreth taksës prej 100 përind që ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas Krasniqi kjo temë më nuk është as aktuale. Ai thotë se tema e taksës është përdorur si një jorgan për t’i mbuluar problemet tjera të Kosovës.

“Kjo temë më nuk është as aktuale, bile personalisht e kam mendu edhe e kam thënë shumë herë se aq gjatë është diskutu për taksën saqë në një formë taksa është bërë si një jorgan për krejt problemet e Kosovës, derisa ne merreshim me taksën çka duhet me bo, çka nuk duhet me bo realisht hupi fokusi prej seneve konkrete që do të duheshin të merreshim coftë ne më Kuvend, qoftë në Qeveri”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Kosova Press.

Krasniqi ka treguar historinë sesi ka ardhur deri tek vendimi i taksës. Ai thotë se ky vendim është diskutuar në ditën kur Kosova nuk është pranuar në Interpol.

“Vendimi për tarifën doganore të Kosovës ndaj Serbisë dhe ndaj Bosnjës e Hercegovinës e ka historinë e vet, kush don me ditë e dinë, nuk kemi nevojë me ju kthy tash, ka qenë një propozim i zotëri Hoxhaj në Qeveri, fillimisht për 10 përqind, pas taj ka pas një zhvillim kur ne nuk arritëm të pranohemi në Interpol dhe në të njëjtën ditë dolën propozime për të pasur ngritje të asaj takse, ishte një ide që fillimisht të ishte 30 përqind, kjo ishte në konsultime në mes zotëri Haradinaj dhe zotëri Veseli, u propozu që të jetë 100 përqind dhe jemi këtu ku jemi”, ka thënë Krasniqi.

Qeveria e Kosovës në muajin nëntor të vitit të kaluar ka vendosur një taskë prej 100 përqind për cdo produkt të Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ky vendim i qeverisë ka ngjallur mjaftë reagime nga ambasadorët e huaj në Kosovë si dhe nga Bashkimi Evropian. Ndër tjera ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka bërë që procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë të shtyhet.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart