Krasniqi: O’Connell ka të drejtë, shtetin e së drejtës nuk na e bëjnë të huajt


Gazeta Express
24 Maj 2019 11:11

Jakup Krasniqi ka thënë se pajtohet plotësisht me ambasadorin O’Conell se Kosovës nuk i duhet ndërhyrje ndërkombëtare në luftimin e krimit e korrupsionit dhe se këtë duhet ta zgjidhë vetë shteti i Kosovës.

Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës, shtetin e të drejtës nuk mund ta bëjnë të tjerët.

“Ambasadori britanik, Ruari O’Connell paska thënë:

“Jo, mos keni shpresë hiç, asnjë pikë shprese, për ndërhyrje ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur. Nuk ka rast në botë që janë rregulluar problemet e një vendi, të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur të huajt për t’i bërë punët tuja . Askush nuk ka me ta ndreqë shtëpinë, duhesh me bërë vetë. Bene vetë.Por, ne do të vazhdojmë të kërkojmë përmirësime, sepse krimi i organizuar në Kosovë na dëmton neve dhe nuk e pranojmë më. Dhe nëse ka vullnet politik për të ndryshuar gjerat, qoftë nga kjo qeveri qoftë nga një qeveri tjetër, ne do të jemi pranë politikanëve që me të vërtetë dëshirojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin”, ka shkruar Krasniqi teksa ka cituar ambasadorin britanik.

E lidhur me këtë, Krasniqi thotë se nuk ka se si të mos pajtohet.

“Me ketë konstatim të Ambasadorit britanik, njeriu nuk ka si mos të pajtohet. Është më shumë se i saktë. As liria nuk do të na vinte, pa luftën tonë shekullore. Kur ne u bëmë gati për jetë a vdekje, erdhi edhe ndihma ndërkombëtare. Ndonëse kishte edhe përpjekje për të vazhduar loja e miut me macen, si në filmat vizatimor. As shtetin e së drejtës nuk na e bëjnë të tjerët.

Veç kësaj Ambasadori i MB, Ruari O’Connell, meriton një mirënjohje edhe për shëtitjen që bëri dje në Vushtrri me të shpëtuarit nga Krimet e Gjenocidit serb!

Faleminderit zoti Ambasador” shkruan Krasniqi në Facebook./Express/

Te fundit


Kthehu lart