Krasniqi: Ëndrra ime është të kem një meç në ‘Fadil Vokrri” - Gazeta Express
string(64) "krasniqi-endrra-ime-eshte-te-organizoj-nje-mec-ne-fadil-vokrri-2"

Krasniqi: Ëndrra ime është të kem një meç në ‘Fadil Vokrri”

Gazeta Express

15/10/2020 11:59

Robin Krasniqi ka thënë se ndihet krenar që ia ka arritur ta nderojë Kosovën, pasi e fitoi titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë fundjavën e kaluar.

Boksieri nga Kosova, Krasniqi – i cili lufton nën flamurin gjerman – u shpall kampion i përkohshëm i botës në WBA dhe kampion bote në IBO në kategorinë gjysmë të rëndë pasi e mundi Dominic Boesel me një nokaut dërrmues në rundin e tretë të shtunën në Magdeburg, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Krasniqi, i cili i kishte humbur luftërat për kampion bote në vitet 2013 dhe 2015, e jetësoi ëndrrën në tentimin e tretë.

33-vjeçari po qëndron për një vizitë në atdhe dhe ka folur në një konferencë për media.

“Do të bëj të pamundurën që një meç ta zhvilloj në Kosovë. Është ëndrra ime të organizoj një meç në ‘Fadil Vokrri”, ka thënë Krasniqi.

“Është krenaria ime më e madhe që e kam nderuar popullin tim me titullin e botës, që njëkohësisht ishte ëndrra ime. Falënderoj të gjithë shqiptarët që janë gëzuar për këtë titull si të ishin të familjes sime”, u shpreh Krasniqi.

Triumfi i ditëve më parë, është triumf i gjithë Kosovës sipas Krasniqit. “Është një fitore e përbashkët. Të gjithë shqiptarët më kanë konsiderua si familje e tyre. Është krenaria jem që e kam nderu Kosovën me këtë titull. I falënderoj të gjithë shqiptarët për mbështetjen”, tha Krasniqi në Prishtinë. /Gazeta Express/