Kral: Goli ndaj Kosovës, prej më të rëndësishmëve dhe më të bukurve në karrierë


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 9:21

Heroi i Republikës Çeke, Alex Kral e ka përshkruar golin ndaj Kosovës si njërin prej më të bukurve dhe më të rëndësishmëve në karrierë. Ai po e shijon çdo moment pas kualifikimit në Euro 2020

Alex Kral e ka konsideruar golin ndaj Kosovës si njërin prej më të rëndësishmëve në karrierën e tij dhe një prej momenteve më të mira në jetë, shkruan Gazeta Express.

Mesfushori e ndihmoi Republikën Çeke të kualifikohet në Euro 2020 pas fitores 2:1 ndaj Kosovës mbrëmë në stadiumin “Doosan Arena” në qytetin Plzen.

Sipas 21 vjeçarit, ekipi vendës e demonstroi se është një ekip mjaft i fuqishëm kur e përmbysi rezultatin ndaj “Dardanëve” në ndeshjen e parafundit të fazës kualifikuese të Evropianit.

“Definitivisht, ishte njëri prej golave më të rëndësishëm për mua. Një tjetër ishte në Sevilla, i cili na kishte mundësuar të kalonim në çerekfinale të Europa Leagues. Por, ky më duket se ka qenë më i mirë. Kështu që, është njëri prej golave më të bukur dhe më të rëndësishëm që kam shënuar ndonjëherë”, deklaroi futbollisti i Spartak Moscoë pas ndeshjes.

Ai e shënoi golin e barazimit në minutën e 71-të të ndeshjes nga jashtë 16 metërshit.

“Unë i provoj gjuajtjet shpesh nga ajo pozitë në stërvitje. Gjithçka shkoi mirë këtë herë”, u shpreh tutje mesfushori defanziv.

Ndërkaq, në minutën e 79-të ai gjuajti me kokë dhe mbrojtësi Ondřej Čelůstka e devijoi topin, i cili përfundoi në rrjetë.

“Mendova se goli ishte imi. Edhe futbollistët po vraponin pas meje. Por, nuk ka rëndësi se kush shënoi gol. Gjëja më e rëndësishme është se ne shkuam në Evropian”, nënvizoi tutje Kral.

Sipas tij, vendimtare ishte që ekipi kombëtar çek nuk u dorëzua kur Kosova kaloi në epërsi me golin e Atdhe Nuhiut.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme ishte reagimi ynë. Ne vazhduam të luanim siç bëmë që nga minuta e parë. Falë kësaj, ne i shënuam dy gola. Edhe ndaj Kosovës ne treguam se edhe kur jemi duke humbur, vazhdojmë ta bëjmë lojën tonë dhe kjo na u shpërblye”, shpjegon futbollisti çek.

“Pasi e qëlluam shtyllën dy herë brenda një minute, mendoja se nuk ishte e mundur të shënonim më dhe nëse kjo do të ndodhte (të mos shënonim), do të ishim të pafat. Mirëpo, ne e gjetëm rrjetën, Kosova u vu nën presion dhe e pësoi golin e dytë”, përfundoi Kral. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart