Krahasoi veten me bëmat e njerëzve të epokave të shkuara, gafa që nxjerr “cullak” Edi Ramën


Gazeta Express
25 Prill 2019 20:13

Në një përpjekje për të justifikuar mënyrën jo ligjore me të cilën Rama po kërkon të ndërtojë kantieret e mëdha të Rilindjes, pa pyetur për kundërshtimet e qytetarëve, ai ka hedhur sot në parlament batutën: “Po të mos kishte kokfortësi, nuk do të ekzistonte Parisi”.

Me një injorancë të frikshme për diferencën mes kohëve dhe me një njohje sipërfaqësore të ndryshimeve historike, kryeministri që dikur ka qenë emigrant në Paris i referohet kohëve të nipit të Bonapartit, Napoleonit të III (poshtë), i cili erdhi në pushtet pas një grushti shteti dhe e drejtoi për 18 vjet vendin e galëve.

I prirur nga një dëshirë diktatoriale për modernizim, ai caktoi baronin Haussmann (majtas lart) të projektonte Parisin e ri, me ndërtesat e njohuara dhe me bulevardet hossmann-iane me të cilat mrekullohemi ende dhe sot. Në këtë kuptim, nuk ka dyshim se voluntarizmi i një perandori si Napoleoni i tretë, kokfortësia e tij na dhuroi Parisin që kemi sot.

Po ashtu si perandorët më gjakatarë romakë ngritën mrekullitë e Romës së lashtë, apo faraonët e Egjyiptit, piramidat.

Edhe brenda hapsirës sonë të vogël gjeografike, kokfortësia e Enver Hoxhës ngriti hidrocentrale, bëri elektrifikimin e Shqipërisë, thau kënetat dhe zhduku malarjen.

Në këtë pikë është botërisht e pranuar se diktaturat janë në gjendje të mbarojnë punë të mëdha, pavarësisht nga çmimet që paguajnë popullsitë që jetojnë në kohën kur ngrihen këto vepra.

Dhe këtu Rama ndoshta ka të drejtë. Pa kokfortësinë e njeriut që drejtonte “le second empire”, Napoleonit të tretë, Parisi nuk do të ishte ky që kemi sot.

Por, aty ku Rama bën një gabim të vogël është fakti se për fatin e keq të ëndrrave të tij më të fshehta, ne sot nuk drejtohemi nga një perandor, por jetojmë në një regjim që pretendohet si demokratik.

Dhe në të tilla regjime predikohet jo uni i liderit, por konsultimi me qytetarët, vendimmarrja demokratike dhe loja e balancave e kundërpushteteve, për vendime të tilla që prekin masa të mëdha njerëzish dhe breza të tërë qytetarësh.

Prandaj kokfortësia e perandorëve që bënë Parisin, sot është një koncept që s’e pranojnë as vetë parizienët. Rama ka të drejtë kur kujton Napolonin e III, por ai thjeshtë ngatërron kohë kur adapton shembullin e tij sot./Lapsi

Te fundit


Kthehu lart