KQZ-ja s’ka pranuar ende asnjë aplikacion për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet në Podujevë - Gazeta Express
string(94) "kqz-ja-ska-pranuar-ende-asnje-aplikacion-per-akreditim-te-vezhguesve-per-zgjedhjet-ne-podujeve"

Gazeta Express

22/02/2020 17:11

KQZ-ja s’ka pranuar ende asnjë aplikacion për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet në Podujevë

Gazeta Express

22/02/2020 17:11

Ende asnjë vëzhgues, qoftë nga partitë politike, apo edhe OJQ nuk kanë aplikuar për akreditim në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se afati për aplikim ka filluar para 10 ditësh, por që ende nuk kanë pranuar asnjë aplikacion për akreditim.

Lexo Edhe:

“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, edhe pse afati për aplikim ka filluar prej para 10 ditësh. KQZ inkurajon për aplikim pasi roli i vëzhguesve është i pazëvendësueshëm për faktin se ndikojnë në besueshmërinë e procesit zgjedhor”, tha ai.

Elezi më tutje theksoi se afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar është deri me 12 mars.

“Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediave është deri më 12 mars. Pra, deri në këto data ne do të presim aplikimet dhe pastaj KQZ-ja bën akreditimin e tyre nëse janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Duhet ta specifikojmë se vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procesin tjetër në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, tha Elezi për EO.

Elezi tha se të drejtën për të kërkuar akreditim si vëzhgues të një procesi zgjedhor e kanë përfaqësuesit e subjekteve politike të certifikuara, OJQ-të dhe organizatat qeveritare e ndër-qeveritare, sikurse edhe organizatat ndërkombëtare.

“Të drejtën për të kërkuar akreditim si vëzhgues të një procesi zgjedhor e kanë përfaqësuesit e subjekteve politike të certifikuara, OJQ-të dhe organizatat qeveritare e ndër-qeveritare, sikurse edhe organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja. Gjithashtu, edhe mediat duhet të akreditohen në mënyrë që të mund të përcjellin procesin e votimit dhe procedurat tjera në QNR. Aplikimet pranohen nëse bëhen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me përjashtim të aplikimeve me e-mail që vijnë nga jashtë Republikës së Kosovës”, bëri të ditur zëdhënësi Elezi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

Tri parti, PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja, kanë caktuar kandidatët me të cilin do të kandidojnë për të marrë postin e të parit të Podujevës.