Presidentja e gjashtë e Kosovës dhe njëherësh kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë presidencial, Vjosa Osmani, në intervistën e saj të fundit për T7 ka folur për tema të ndryshme që janë në interes të vendit.
Duke folur për përvojën e saj gjatë kësaj periudhe, Osmani tha se, ndonëse nuk ka qenë pjesë e fushatave zgjedhore viteve te fundit, për shkak të detyrës së saj si Presidente e Kosovës, ajo është ndier mirë gjatë këtij procesi. Sipas saj, gjatë këtyre ditëve ka takuar shumë mbështetës që e kanë përgëzuar për mënyrën se si e ka përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare.
“Fushata ka qenë dinamike, na ka dhënë shumë motiv, një energji e jashtëzakonshme që nuk e kam pa për një kohë të gjatë, për të cilën më kishte marrë malli shumë. Një përkrahje shumë e madhe, shumë njerëz e aktivistë të cilët s’kanë qenë të angazhuar në pesë vitet e fundit në LDK, e as në politikë, e aq më pak në angazhime partiake, i kemi pa në këtë fushatë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se gjatë fushatës kanë marrë shumë dashuri dhe përkrahje nga qytetarët, gjë që, sipas saj, ka ndikuar në pritshmëritë pozitive për rezultatin e zgjedhjeve. Osmani falënderoi të gjithë qytetarët që kanë takuar anekënd Kosovës, duke kërkuar falje për ata që nuk kanë arritur t’i takojnë për shkak të kohës së shkurtër.
Presidentja foli edhe për ribashkimin e saj me LDK-në, duke thënë se ky vendim është mbështetur dhe mirëpritur më mirë sesa e kishte pritur edhe ajo vetë.
“Mikpritja ka qenë e jashtëzakonshme, shumë e afërt, shumë më e ngrohtë sesa ka pritur kushdo, përfshirë edhe unë personalisht. Unë i njoh të gjithë aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përveç disave që janë kyçur tani së fundmi. Me ta kemi punuar në kohë të rënda, në kohë të vështira, por me ta kemi punuar edhe në kohë të mira, andaj ky ribashkim edhe për mua edhe për të gjithë aktivistët ka qenë diçka që jo vetëm ka funksionuar, por ka qenë gjëja më e natyrshme”, deklaroi ajo.
Osmani tha se qëllimi i saj është të ndihmojë rikthimin e LDK-së, duke e konsideruar këtë të rëndësishme për demokracinë dhe zhvillimin e Kosovës.
“Unë jam këtu për ta ndihmuar rikthimin e LDK-së. Mendoj se është e shëndetshme për demokracinë e Kosovës, është e domosdoshme për sukseset e Kosovës jo vetëm përbrenda sa i përket zhvillimit dhe investimeve, por mbi të gjitha edhe për integrimin euroatlantik të Kosovës”, tha ajo.
Sipas Osmanit, gjatë kësaj fushate është ndihmuar dinamizimi dhe rienergjizimi i LDK-së, por ajo theksoi se kjo nuk është një rrugë e shkurtër.
“Jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk është rrugë e shkurtër, është rrugë e gjatë dhe jemi këtu që në këtë rrugë të gjatë të punojmë bashkë, ta përkrahim njëri-tjetrin, me besim të plotë në njëri-tjetrin”, u shpreh ajo.
Poashtu, Osmani tha se besimi është rikthyer jo vetëm te drejtuesit e listës, por edhe te aktivistët dhe qytetarët që, sipas saj, po e mbështesin LDK-në nga Kosova dhe mërgata.
“Ky besim i madh na jep shumë motiv dhe shumë besim edhe neve për të ardhmen që po na pret”, përfundoi ajo.