Kosovarja kur u pyet pse s’e bëri shqiponjën: Jam e etur ta bëj, ama njerëzit e dinë që Kosova është krenare me mua dhe unë me të


Gazeta Express
20 Qershor 2019 0:08

Futbollistja me origjinë shqiptare, Kosovare Asllani, i ka shënuar dy gola deri tani për ekipin e saj kombëtar, Suedinë, në Kupën e Botës, por nuk i ka festuar ato duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, gjë që, megjithatë, e kishte bërë gjatë kualifikimeve për këtë turne. Ajo e sheh të panevojshme këtë tani, duke këmbëngulur se të gjithë e dinë se Kosova është krenare me të dhe ajo është krenare me Kosovën.

Asllani, e lindur në Kristianstad nga prindër kosovarë, shënoi në dy fitoret e Suedisë në dy ndeshjet e para në Grupin F të Kupës së Botës, kundër Kilit 2:0 dhe kundër Tajlandës 5:1, por u përmbajt duke mos festuar duke e bërë shqiponjën, simbolin në flamurin kombëtar shqiptar, shkruan Gazeta Express. Prandaj, ajo u pyet nga mediat suedeze përse nuk kishte festuar si në kualifikime.

Asllani pushtoi mediat kur shënoi për 3:0 për Suedinë kundër Ukrainës në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në gusht.

Asllani duke festuar me shqiponje pas golit kundër Ukrainës në kualifikime për Botërorin e 2019-es

Ajo e dinte se festimi i saj do të mundë të quhej kontrovers, duke ditur se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dy shqiptarët nga Kosova, u gjobiten me nga 10 mijë franga zvicerane dhe u paralajmëruan nga FIFA secili, pasi i festuan me shqiponje dy golat e fitores së Zvicrës në Kupën e Botës 2018 kundër Serbisë.

Asllani thotë se ishte krenare që e bëri atë gjest, por këmbëngul se për të nuk ka qenë politik, edhe pse për disa mund të ketë qenë.

“E bëra për nder të Kosovës, origjinës sime”, pati thënë ajo pas ndeshjes.

Por, kur u pyet përse nuk e përsëriti pas golave në Botërorin që po zhvillohet momentalisht, kosovarja tha se edhe pse e uritur për ta bërë, nuk e sheh të nevojshme.

“Gjithmonë jam e uritur për ta bërë. Ama njerëzit e dinë historinë time tashmë dhe Kosova është shumë krenare me mua, dhe unë jam shumë krenare me të. Ata e dinë, dhe kjo ka më së shumti rëndësi”, tha ajo.

Suedia dhe SHBA-ja i prijnë Grupit F secila me nga gjashtë pikë, ndërsa Tajlanda dhe Kili janë pa pikë.

Ndeshja e radhës e Suedisë së Asllanit do të zhvillohet sot (enjte) kundër SHBA-së. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart