Kosovare Asllani: Ylli i Kosovës që po shkëlqen në Botëror


Gazeta Express
12 Qershor 2019 15:32

Kosovare Asllani është duke e përjetuar njërën ndër periudhat më të mira në karrierën e saj të futbollit, pasi që së fundi iu ndërtua një statujë në Suedi e tani po shkëlqen në Kampionatin Botëror të grave.

Futbollistja me nofkën “Kosse” lindi në Kristianstad të Suedisë, mirëpo ka prejardhje nga Kosova, prej ku prindërit e saj migruan. Ajo u rrit duke shfaqur talent jo vetëm në futboll, por edhe në “ice hockey”, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë, kur erdhi koha për ta marrë një vendim përfundimtar të karrierës, ajo vendosi ta zgjedhë opsionin. Sukseset e saja të shumta në këtë sport sugjerojnë se ajo e kishte bërë zgjedhjen e duhur.

Që prej vitit 2007, kur debutoi si profesioniste, ajo e ka dëshmuar veten në shtatë klube të futbollit, përfshirë këtu edhe Manchester Cityn e Paris Saint-Germainin.

Megjithatë, ajo më së shumti ka arritur suksese në karrierën me Kombëtaren e Suedisë, për të cilën i ka bërë 126 paraqitje. Arritja e saj më e madhe me Suedinë ishte sigurimi i medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike të vitit 2016.

Në vitin 2017, ajo u zgjodh mesfushorja e vitit në Suedi, ndërsa këtë verë u nderua nga po ky vend me një statujë. Statujat e Asllanit dhe tri futbollisteve të tjera – Nilla Fischer, Caroline Seger dhe Hedvig Lindahl – u ndërtuan me qëllim të promovimit të futbollit të vajzave.

29-vjeçarja u shpreh shumë falënderuese për këtë statujë, mirëpo mirënjohjen e saj e shprehu edhe përmes paraqitjes së saj në ndeshjen e parë të Kampionatit Botëror, që po mbahet aktualisht në Francë.

Në ndeshjen mes Suedisë dhe Kilit, Asllani e zhbllokoi rezultatin e ndeshjen në minutën e 82-të, duke i ndihmuar kështu skuadrës së saj t’i fitojë tri pikët e para të këtij Botërori.

Ndeshja përfundoi me rezultat 2:0, pasi që edhe Madelen Janogy arriti ta shënojë një gol tjetër dhe ta dyfishojë epërsinë e Suedisë në këtë përballje me Kilin.

Me këto tre pikë të fituara, Suedia radhitet në pozitën e dytë në Grupin F të Kampionatit Botëror. Para Suedisë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu me tre pikë, por me diferencë më të madhe të golave.

Ajo shpreson ta mbyllë këtë turne me një medalje të artë në qafë e pastaj të kthehet sërish te klubi i saj, Linkopings, me të cilët në gusht të vitit 2017 nënshkroi kontratë dyvjeçare e gjysmë. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart