Kosovare Asllani e komenton nominimin e saj për Topin e Artë


load
Gazeta Express
22 Tetor 2019 15:24

Kosovare Asllani ndihet e lumtur dhe e privilegjuar që është nominuar në mesin e 20 kandidateve për ta fituar çmimin prestigjioz individual, Topi i Artë

Kosovare Asllani po i shijon momentet më të mira të karrierës së saj, shkruan Gazeta Express.

Futbollistja kosovare shkëlqeu në Kampionatin Botëror të futbollit të femrave duke e fituar medaljen e bronztë me Suedinë.

Ajo madje u konsiderua nga mediat edhe si lojtarja më e mirë e këtij evenimenti, i cili u mbajt në Francë.

Për këtë, Kosovarja u nderua edhe nga gazeta prestigjioze “France Football”, e cila e futi atë në mesin e 20 kandidateve për ta fituar Topin e Artë.

“Ndihem e nderuar që jam në mesin e 20 të nominuarave për çmimin Topi i Artë”, ka shkruar Asllani në rrjetet sociale.

Ky çmim prestigjioz individual do të ndahet më 2 dhjetor të këtij viti në Paris.

Falë paraqitjeve mbresëlënëse në Botëror, ku shënoi tre gola, Asllani e fitoi një kontratë edhe nga Real Madridi, ku u transferua gjatë verës.

Asllani është futbollistja e dytë kosovare që futet në garë për ta fituar Topin e Artë.

Vite më parë, Fatmire Bajramaj, tash Lira Alushi, ishte futur në mesin e tre kandidateve për ta fituar Topin e Artë për femra. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart