Kosova stërvitet në stadiumin ku nesër synon fitore për ta vazhduar ëndrrën


Gazeta Express
13 Nëntor 2019 18:46

Lojtarët e ekipit kombëtar të Kosovës kanë stërvitur sonte në fushën e stadiumit “Struncovy Sady”, aty nga ku nesër synojnë të dalin si fitues ndaj nikoqirit, Republikës së Çekisë, në përpjekje për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Kombëtarja dardane mbërriti në Plzen sot në mesditë dhe pas një konference të shkurtër për media, ku folën trajneri Bernard Challandes dhe mesfushori Valon Berisha, mbajti edhe një stërvitje të lehtë, raporton Gazeta Express.

Kosova përballet nesër me Çekinë, duke e ditur se vetëm fitorja e mban në garë për kualifikim përmes rrugës tradicionale në ndeshjen e fundit kundër Anglisë, të dielën në Prishtinë.

Challandes nuk do të mundë të llogarisë në sulmuesin kryesor, Vedat Muriqin, i cili u lëndua në fundjavë në një ndeshje me klubin e vet Fenerbahcen në Superligën turke.

Kosovës i duhet katër pikë nga këto dy ndeshje për ta siguruar një vend në Euro 2020 përmes kualifikimeve qysh në tentimin e saj të parë.

Gjithsesi, verdhekaltrit do ta kenë edhe një mundësi të dytë për ta bërë ëndrrën realitet, play-offin e Ligës së Kombeve në muajin mars. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart