Konfrontohet Albin Kurti me SHBA-të për politikë ditore apo e ka strategjinë të shkëput Kosovën nga rruga transatlantike dhe BE e drejt blloqeve të Lindjes? Këto janë tezat e nxehta të këtyre ditëve. Asnjëra e as tjetra tezë nuk qëndron. Atëherë çka synon kryeministri me këshilltarët e tij aq kontrovers përreth?
Arbana Xharra
Deri më tani sikur një parim të ishte i qartë për çdo parti: asnjëra nuk e provonte të bëjë politikë ditore me raportet Kosovë – SHBA. Edhe në krizat më të mëdha siç ishin ajo e tërheqjes nga «Gjykata speciale» dhe kontestit rreth «transformimit të FSK»-së, qeveritë dhe shteti kosovar menaxhuan situatën në atë mënyrë që mos gërvishteshin këto raporte. Ditëve të fundit spekulohet se kjo gjendje ndryshoi me ardhjen e LVV-së në pushtet. Flitet për konfrontimin e drejtpërdrejte të kryeministrit Kurti me administratën Trump. Këta të fundit kërkojnë heqjen e taksës, e ky nuk pranon. Ose e heq atë por me këste.
Këtë këmbëngulje të Kurtit jo pak analistë e konsiderojnë demagogji. Operim për politika ditore që mund t’i kushtojnë shumë Kosovës dhe të ardhmes së saj. Vërtet politikë ditore?
Paralajmërimi i Merkel dhe Macron mirëpo se edhe ata do të angazhojnë emisarët e tyre special rezulton gjendjen shumë më serioze se ç’ vlerësohet. Nuk mund të bëhet fjalë vetëm për politikë ditore ose ndërkombëtarët e konsiderojnë ndryshe e qeveria në Prishtinë ndryshe. Pyetja që duhet të shtrohet në këto rrethana është: çka qenka kaq e madhe dhe urgjente në këtë aferë të re serbo-kosovare, saqë të mobilizohen më të mëdhenjtë e botës në këtë mënyrë?
Sjelljet e ndërkombëtare nuk lënë hapësirë për ta reduktuar rëndësinë e kontestit në «folklorizëm për politikë ditore». Po të ishte kjo atëherë Kurti do t’ia kishte huqur rëndë analizës së tij, gjë që nuk e besojmë.
Teoria tjetër që qarkullon mediave dhe rrjetit social është ajo që politikën e Kurtit e sheh në favor të prishjes së qëllimtë të shtetit të Kosovës me partnerët perëndimorë. Autorët e kësaj teze argumentojnë sidomos me stafin e Kurtit në Tiranë, e cila dihet botërisht se synon Turqinë e përtej, dhe bindjet marksiste të Kurtit që qenkan natyrshëm kundër «imperializmit, kolonializmit» dhe izmave të tjerë me të cilët edhe në shekullin 21 e majta përpiqet ta mbajë veten në skenë. Qenkan këto qarqe anti-perëndimore, të cilat kohëve të fundit kanë përvetësuar binomin në luftë dinjitet-servilitet që de fakto e instaloi Ramush Haradinaj pas instalimit të taksës 100% ndaj Serbisë.
Çka qëndron nga këto dy spekulime: Konfrontohet Kurti, duke rrezikuar raportet me SHBA-të për politikë ditore apo kursi i tij ka të bëjë vërtet me ndonjë doktrinë që synon orientimin kah Lindja duke shfrytëzuar në këtë rrugë krizën e një raporti tjetër: SHBA- BE (pa Britaninë, dhe Skandinavinë)? Apo është ai vërtetë siç i tha me ironi Vuçiç të jetë më i mençuri nga të gjithë dhe të nxjerrë maksimumin duke shfrytëzuar të gjithë në interes të vendit të tij të varfër e në halle.
E ka vërtet këtë fat Kosova? Jo.
Nga lëvizjet e Qeverisë së re Kurti (aq sa mund të analizojmë ne nga distanca) më shumë duket sikur ajo nuk ka ende strategji konkrete se çka duhet të bëjë. Veprimi i saj duket sikur të jetë mozaik fragmentesh, të cilat në sintezë pamundësojnë ndonjë qëndrim unik e të qartë. Varësisht se me cilin këshilltar flet Kurti e cili prej tyre flet vetë ashtu edhe ndezën taborët: herë me Lindje, herë me perëndim e vazhdimisht në efekt kundër vetes. Kurtin duhet shpëtuar nga këshilltarët e tij.
Një situatë e këtillë manifeston dy gjëra:
1. Kurti ende nuk ka tubuar aparatin e nevojshëm dhe serioz që i nevojitet për të udhëhequr një shtet dhe rropatet me militantë, “filozofë” e publicistë të papërvojë dhe
2. Ai ende nuk e ka kuptuar se në ç’ situate të rëndë gjendet vendi i tij.
Prishja e raporteve – me qëllim apo për shkak të pafuqisë – me SHBA-të nesër do të thotë se të mbyllet edhe BE. Interesat ndërmjet Evropës dhe SHBA-ve asnjëherë nuk do t’i determinojë një vend si Kosova, ato përbehen nga interesa të thella tradicionale e globale, që sapo të ulen për vete në tavolinë harrojnë se ku gjendet Kosova. Deshën apo s’deshën «antiimperialistët», erodganistët, jeshilët apo të zinjtë SHBA-të janë superfuqia që përcakton politikat globale dhe Kosova si shtet nuk e ka luksin të bëjë poza idealiste por pragmatike dhe të ruaj raportet me të me çdo çmim. E se Kurti vetë, personalisht, të ecë drejt ndonjë blloku tjetër, i cili as veten nuk e shpëton dot nga gropa ku ka rënë, do të ishte jashtë çdo logjike.
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...