Kosova në stërvitjen e fundit para takimit me Danimarkën, Kryeziu e Kololli stërvitin të veçuar nga grupi


Gazeta Express
20 Mars 2019 17:00

Bernard Challandes është duke e mbajtur stërvitjen e fundit me futbollistët e tij para ndeshjes së Kosovës nesër kundër Danimarkës, me Hekuran Kryeziun dhe Benjamin Kolollin që po stërvitin të veçuar nga grupi.

Kosova e pret Danimarkën të enjten në “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në një ndeshje miqësore në prag të fushatës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, që e nis të hënën kundër Bullgarisë, raporton Gazeta Express.

Hekuran Kryeziu, i cili pësoi një dëmtim të dielën në një ndeshje me klubin e tij Zurich në ligën zvicerane, i është bashkuar sot ekipit kombëtar dhe është duke stërvitur lehtësisht i veçuar nga grupi.

Në stërvitjen e fundit para sfidës miqësore me danezët i veçuar u stërvit edhe bashkëlojtari i Kryeziut te Zurichu, Benjamin Kololli, i cili i është bashkuar me vonesë Kombëtares po ashtu.

Trajneri Challandes konfirmoi sot në një konferencë për media se Kryeziu nuk do të luajë nesër në miqësore, por pritet të jetë gati për ndeshjen e rëndësishme ndaj Bullgarisë, me të cilën verdhekaltrit e nisin fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Kosova i ka vetëm dy mungesa për ndeshjen e nesërme, Valon Berishën dhe Kryeziun, por ka një kontingjent të madh lojtarësh që mund t’i mbulojnë mungesat. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart