Kosova në NATO – definim i paqes së përhershme në Ballkan


Gazeta Express
27 Gusht 2019 11:16

Zgjerimi i NATO-s edhe me Kosovën do të përcaktonte fatin e Ballkanit. Do të definonte paqen e përhershme në Ballkanin Perëndimor

BURIM RAMADANI

Zgjerimi i NATO-s është çështje kyçe si brenda NATO-s ashtu edhe në kontekstin e shtrirjes alternative të sigurisë në Europë, e sidomos në Ballkan. Përfitimi më i rëndësishëm në zgjerimin e NATO-s ështe ruajtja e stabilitetit dhe ndërtimi i paqes, sa më i madh dhe gjithëpërfshirës të jetë zgjerimi, aleanca është më e forte dhe më e qëndrueshme. Duke zgjeruar ombrellën e sigurisë, NATO do ta bëjë për Ballkanin atë që bëri për Europën Perëndimore për katër dekada.

Pas anëtarësimit të Sllovenisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe në pritje të Maqedonisë së Veriut çështja tash është më shumë politike sesa ushtarak. Arsyeja? Aktorët e jashtëm. Interesat gjeopolitke dhe ekonomike të aktorëve të jashtëm, përkatësisht të Rusisë dhe Kinës, po vazhdojnë të rriten. Ndikimi i Rusisë në Ballkan dhe ndërveprimi i vazhdueshëm me Serbinë është veçanërisht shqetësues në kontekstin e tendencave të saj kundër zgjerimit të NATO-s, që kërcënon trajektoren afatgjate të integrimit euro-atlantik të Ballkanit.

Nga aspekti politik, Rusia mbetet mbështetëse e qeverive që kanë ndjekur axhendat e tyre anti-perëndimore. Shembuj të dukshëm janë politikat e jashtme të Serbisë e cila edhe pse është deklaruar si neutral, vazhdon të lidhet ngushtë me Rusinë. Serbia është shndërruar në mjet të Rusisë, për të ndikuar në çështjet e sigurisë europiane e sidomos të rrisë tensionet në Ballkan. Qëllimi i saj është komplikimi i politikave të zgjerimit dhe të sigurisë që parasheh NATO për rajonin e Ballkanit. Rusia, po ashtu, kundërshton ashpër aderimin e shteteve në NATO dhe mbështet Serbinë dhe Milorad Dodikun, mbrojtësin kryesor të seperatizmit serb në Bosnje.

I vetmi shtet që mbetet i pa prekur në këtë aspekt është Republika e Kosovës që vazhdon ta ketë në krye ta axhendës së saj shtetërore integrimin dhe anëtarësimin në NATO. Prandaj, edhe Aleanca Veri-Atlantike duhet të marrë seriozisht aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u integruar në aleancë, sepse Republika e Kosovës mbetet shteti më pro-perëndimor në Ballkan. Transformimi i FSK-së në ushtri nuk ka kërcenuar askënd, mirëpo ka treguar edhe njëherë se Kosova është e rreshtuar krah NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Republika e Kosovës vazhdon angazhimin e saj në funksionalizimin e mekanizmave institucional dhe zhvillimin e politikave në përputhshmëri të plotë me ato të NATO-s. Kosova, përfshirë këtu FSK-në, është e përkushtuar në ruajtjen e marrëdhënieve me NATO-n dhe SHBA-të, si dhe luftën ndaj ndikimeve potenciale që vinë nga aktorët e jashtëm. Në Strategjinë e Sigurisë Shtetërore, të miratuar në Këshill të Sigurisë dhe në Qeveri gjatë korrikut 2019, luftimi i kërcënimeve të jashtme armiqësore është precizuar me politika, objektiva dhe veprime konkrete.

Nëse Ballkani Perëndimor mund të perceptohet si i neglizhuar nga komuniteti Euro-Atlantik, duke pasur parasysh rritjen e ndikimit të aktorëve të jashtëm, fajësimi për shtrirjen e influencës ruse dhe influencave tjera armiqësore do të jetë fajësim justifikues. Prandaj, as nuk duhet parë dhe as përceptuar se Ballkani Perëndimor, sidomos Kosova, kanë mbetur të neglizhuara dhe të hijëzuara nga komuniteti evro-atlantik.

Përkundrazi, zgjerimi i NATO-s edhe me Kosovën do të përcaktonte fatin e Ballkanit. Do të definonte paqen e përhershme në Ballkanin Perëndimor.

Te fundit


Kthehu lart