Kosova e Fjollave


Gazeta Express
26 Korrik 2019 15:18

Më e dëmshme është paraqitja skenike e një këngëtareje që quhet Fjollë, apo fjolla e famshme e një gruaje që quhet Editë? E para ngjalli moralizime deri në banalitet, kurse e dyta pati ngjallur arsyetime banale të atyre që pranuan të dëmtojnë subjektivitetin e shtetit. Fjolla e parë është prodhim i shoqërisë sonë, e dyta rezultat i politikës së papërgjegjshme.

Imer Mushkolaj

Përnjëherë u shndërruam në moralizues. Jo veç për aktin e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, por edhe për shfaqjen e një këngëtareje në sheshin e Skënderajt.

Fjlla Morina u bë personazh gjithandej në media e rrjete sociale për shkak të performancës së saj në një veshje, sipas kritikëve, jo të përshtatshme, për shkak se në koncert po merrnin pjesë edhe një numër i madh fëmijësh.

Përpara se të gjykohet ajo ose kushdo tjetër që do të paraqitej në atë mënyrë, janë disa pyetje të thjeshta të cilave duhet përgjigjur. Si po organiozohej një koncert, që pritej të kishte edhe shfaqje eksplicite, në një ambient të hapur ku do të mund të kishte edhe fëmijë? Pse ata fëmijë gjendeshin aty të pashoqëruar nga prindërit? Çfarë panë ata aty më shumë se çdo ditë tjetër në televizione e telefona mobilë?

Moralizimet shkuan sq larg, sa që u tha se me paraqitjen e saj gati lakuriq, këngëtarja kishte përlyer edhe vetë Adem Jasharin, emrin e të cilit e mban sheshi. Ndërkohë veç pak kilometra më larg, në Prekaz, kullat e Jasharëve rrezikojnë të shemben në mungesë përkujdesjeje institucionale.

Fjolla është prodhim yni, prodhjim i një shoqërie të frustruar edhe seksualisht, që ngopet me të tilla shfaqje. Mjafton vetëm të numërohen se sa të ashtuquajtura villa, që shërbejnë ekskluzivisht për seks, ekzistojnë gjithandej vendit, për të vlerësuar se për çfarë shoqërie bëhet fjalë. Mjafton të lexosh raportet e policisë për ngacmime seksuale të vajzave dhe grave, për të gjykuar moralizimin fals dhe “shqetësimin” se shoqëria po prishet. Shoqëria dhe shteti rrezikohen nga të tjera gjëra, më shumë se sa paraqitja e një këngëtareje të estradës me një veshje, siç thuhet, jo të përshtatshme.

* * *

Një fjollë tjetër u bë e famshme në vitin 2012, atëherë kur kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri nënshkroi marrëveshjen për prezantimin e Kosovës me fusnotë. Me atë rast, ajo kishte thënë se fusnota është si një fluskë bore që kalon pas dimrit. Shtatë vjet pas fjolla qëndron mbi Kosovë, duke e dëmtuar subjektivitetin e shtetit të ri.

Pavarësisht arsyetimeve se Kosova ka përfituar nga fusnota, nuk është arritur qëllimi për çfarë ishte thënë se ajo shtë vendosur.

Ndryshe nga Fjolla në koncertin e Skënderajt, fjolla në emrin e Kosovës është prodhim i politikës së papërgjegjshme, është rezultat i qasjes nënshtruese në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Si në rastin e Fjollës tash, edhe në rastin e fjollës së Edita Tahirit para shtatë vjetësh, më shumë fokusi ishte te forma, se tek përmbajtja. Pra, thuhej se ajo shenjë që shoqëronte emrin e shtetit të ri do të shkrihej si një fluskë bore, por nuk ndodhi ashtu.

Ndërkohë, për më shumë se një dekadë shteti udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, që bazën e ka në Skënderaj. Nën udhëheqjen e kësaj partie vendi është zhytur në krim, korrupsion e familjarizëm. Nën qeverisjen e kësaj partie, në bashkëqeverisje edhe me subjekte të tjera, vendi është izoluar, zhvillimi ekonomik ka ngecur e papunësia ka mbetur problem serioz. Nën qeverisjen e kësaj partie vendi është futur në dialog pa kushte me Serbinë, duke mos përfituar asgjë, por vetëm duke i ndihmuar Serbisë që të përparojë në integrimet europiane. Nën qeverisjen e kësaj partie dhe partnerëve të saj vendi është braktisur nga qindra mijëra qytetarë, në kërkim të një jete më të mirë.

* * *

Tash, a më shumë e dëmton shtetin paraqitja “e papërshtatshme” e Fjollës në Skënderaj, a plaçkitja dhe rrjepja e shtetit nga ata që e udhëheqin? Më shumë dëmtohet shteti nga keqqeverisja sistematike, hajnia e korrupsioni, apo nga shfaqja “e pamoralshme” e një këngëtareje?

Shumica e atyre që moralizojnë për Fjollën e koncertit në Skënderaj i mbajnë në pushtet pikërisht ata që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje të vështirë, ata që qëllim e kanë pasurimin e vetes dhe të të vetëve, e jo mirëqenien e qytetarëve.

Fjolla e koncertit të Skënderajt nuk ka bërë kurrfarë krimi. As mëkati. Ajo nuk i ka ftuar me zor njerëzit që ta shkojnë e ta shohin. Andaj moralizimet nuk kanë vend. Aq më pak të atyre që me votën e vet i mbajnë në pushtet ata që na vështirësojnë jetën. Aq më pak të atyre që nuk përtojnë të moralizojnë as kur u kritikohen idhujt politikë, duke i mbrojtur ata paturpësisht. Për ta moralin e prishin paraqitjet eksplicite, e jo të pamoralshmit e të papërgjegjshmit që qeverisin. Për ta vendi rrezikohet nga Fjolla, jo nga të rrezikshmit.

Te fundit


Kthehu lart