Kosova dhe Serbia ta vazhdojnë dialogun deri në njohjen e njëra-tjetrës


Gazeta Express
12 Qershor 2019 12:44

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, në ceremoninë e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s, po qëndron në Kosovë, me ç’rast iu drejtua qytetarëve me një fjalim. Ai tha se ndihet krenar për ndërhyrjen që NATO-ja e bëri në Kosovë duke e ndalur kështu gjenocidin e Millosheviqit. Por 20 vjet pas, Palmer deklaroi se Kosova duhet të punojë më shumë për dialogun me Serbinë deri në njohjen reciproke të të dy shteteve.

“Sot po shënojmë 20-vjetorin e mbylljes së operacionit të forcave të NATO-s dhe KFOR-it. Ne e njohim me respekt përkushtimin e forcave të NATO-s që i kanë bërë këtu për 20 vjet. NATO-ja ka intervenuar pas gjithë shterimit të përpjekjeve diplomatike. Intervenimi ka qenë mundësia e fundit për ta gjunjëzuar Millosheviqin dhe për të ndaluar shkatërrimet që po bëheshin në këtë vend”, ka deklaruar ndihmëszëvendësi i sekretarit të shtetit, Matthew Palmer.

Ai ka deklaruar se SHBA-ja do të jetë gjithnjë përkrah Kosovës duke e përmendur kështu dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai ka thënë se dy shtetet fqinje duhet t’i lënë anash hatërmbetjet dhe të punojnë se bashku deri në njohjen reciproke të të dy shteteve.

“Në këtë përvjetor solemn i përkujtojmë shumë ushtar që i kanë humbur jetën në mision. Sot e ripërsërisim zotimin tonë për ta ndërtuar paqen dhe prosperitetin. Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë se bashku në emër të të gjitha viktimave. Duhet të lënë mënjanë hatërmbetjet. SHBA-ja qëndron pranë Kosovës për të inkurajuar përparimin. Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun deri në njohjen reciproke të të dy shteteve. Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë”, ka deklaruar Palmer.

Te fundit


Kthehu lart