Kosnett bashkë me Haradinajn për bustin e Bob Dole, nuk e bën të madhe përsëri dorëheqjen e tij


Gazeta Express
22 Korrik 2019 15:16

Në ditëlindjen e senatorit, Bob Dole, iniciohet ideja për ndërtimin e një busti në nder të tij.

Kështu bëri të ditur sot kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, sipas të cilit ideja e ndërtimit të këtij busti kishte ardhur nga qytetarët.

“Është një moment i mirë t’ia urojmë ditëlindjen mikut tonë. Unë vetëm ndihmoj, iniciativa ka ardhur nga qytetarët, nga bizneset, nga Oda Amerikane në Kosovë të nisim projektin për një përmendore për senatorin Bob Dole”, tha Haradinaj.

Sipas tij, vizita e senatorit Bob Dole gjatë viteve 90-ta në Kosovë kishte bërë kthesë në vendin tonë.

“Ishte viti 1990, vizita e parë e delegacionit të senatorëve të lartë amerikanë në Kosovë, e cila ishte një kthesë për ne”, tha Haradinaj.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, tha se ndihet i nderuar për iniciativën për ndërtimin e bustit për senatorin Dole.

“Bob Dole i ka prirë gjithmonë kauzës për liri, prandaj nuk është risi që ai ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për liri”, tha ai.

Kosnett theksoi se miqësia në mes SHBA-së dhe Kosovës nuk varet nga ndonjë parti e posaçme politike apo individ.

“Të gjithëve do të na bënte mirë të ndiqnim filozofinë e Bob Dole. Në politikë ka kundërshtarë, jo armiq”, tha diplomati amerikan.

Ndërtimi i bustit të senatorit Bob Dole do të bëhet nga artisti i njohur Luan Mulliqi.

Përkundër insistimit të gazetarëve, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj refuzoi të përgjigjet në pyetjet e tyre.

Te fundit


Kthehu lart