Koronavirusi në RMV/ Kompetentët pohojnë se nuk ka arsye për panik - Gazeta Express
string(65) "koronavirusi-ne-rmv-kompetentet-pohojne-se-nuk-ka-arsye-per-panik"

Koronavirusi në RMV/ Kompetentët pohojnë se nuk ka arsye për panik

Gazeta Express

26/02/2020 19:43

Një grua nga Shkupi, e lindur në vitin 1970, është rasti i parë i konfirmuar me koronavirus në vend. Pacientja, e cila për një kohë të caktuar ka qëndruar në Itali, ndërsa ka ardhur përmes vendkalimit kufitar Tabanoc duke udhëtuar me një furgon në të cilin ka pasur edhe disa persona të tjerë, për momentin ndodhet nën kujdes intensiv në Repartin për izolim në Klinikën infektive. Është me vetëdije, e orientuar dhe me frymëmarrje të rregullt.

Siç kumtuan sot pasdite ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dr. Zharko Karaxhovski nga Instituti për shëndet publik dhe kryeministri Oliver Spasovski nuk ka hapësirë, as shkak për panik. Situata është nën kontroll, po ndiqet vazhdimisht, ndërsa institucionet janë të gatshme për reagim të shpejtë dhe po i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme sipas protokolleve ndërkombëtare.

Lexo Edhe:

Filipçe, Spasovski dhe Karaxhovski u bënë thirrje qytetarëve t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të sillen me përgjegjësi. Të mos përhapet defetizëm, posaçërisht jo në rrjetet sociale. Njëherit bënë thirrje, kompanitë dhe institucionet të mos i lejojnë ata të punësuar, të cilët këtë periudhë kanë qenë në Itali, të vijnë në punë sepse ata së pari duhet të kalojnë 14 ditë në izolim shtëpiak – periudhë sa zgjatë inkubacioni i virusit.

Lidhur me maskat mbrojtëse, ministri Filipçe theksoi se ato paraqesin vetëm rrezik shtesë për njerëzit e shëndoshë dhe se më mirë është ato t’i mbajnë të sëmurët. Qëllimi i maskave është të parandalohet bartja e cilit do infektim. Ai përkujtoi edhe se koronavirusi po përhapet, para së gjithash, në mënyrë respiratore, përmes teshtitjes dhe kollitjes, por edhe përmes duarve të papastra.

“Nuk ka hapësirë për panik, pacientja është vendosur në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në repartin e izolimit, gjendja e saj trajtohet në mënyrë adekuate. Analizat epidemiologjike tregojnë se ajo kishte qenë në Itali për një muaj në vizitë te të afërmit. Tashmë dy javë është e sëmurë dhe është testuar në një institucion shëndetësor në Itali, menjëherë pas hyrjes në vendin tonë është drejtuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. Inkubacioni ka mbaruar dhe në momentin e transportit ajo nuk ka paraqitur rrezik për të transmetuar sëmundjen”, tha Filipce.

Ministri paralajmëroi se të gjithë që kanë qenë në furgonin me pacienten do të testohen në mënyrë adekuate, ndërsa analiza do të bëhen edhe tek anëtarët e familjes së saj, të cilët e sollën nga Tabanoci në Klinikën infektive. Të gjithë, gjithashtu, do të vihen në izolim 14-ditor. Hollësitë për gjendjen e tyre do të kumtohen në konferencën e ardhshme për shtyp në Qeveri, të caktuar për në orën 20:00.

Duke përçuar tone qetësuese, dr. Karaxhovski tha se një person pozitiv nuk paraqet rrezik për popullatën. Ai sqaroi edhe se pacientja me koronavorus është sjellë në Klinikën infektive nga hyrja e posaçme, ndërsa edhe lëvizja në Klinikë ka qenë përmes korridoreve të posaçme. Në të vërtetë, janë zbatuar procedurat dhe veprimet adekuate.

“Qytetarët mund të jenë të qetë, sepse asgjë nuk na befasoi. Shërbimet mjekësore janë 24/7 të përgatitura të veprojnë dhe për vetëm gjysmë ore mund të formojnë ekip”, përmendi dr. Karaxhovski.

Edhe sipas kryeministrit Spasovski, situata është nën kontroll, pacientja me koronavirus është trajtuar në pajtim me të gjitha rekomandimet.

“Institucionet janë të përgatitura të reagojnë menjëherë. U bëj thirrje qytetarëve tërësisht t’u përmbahen rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë moment është shumë me rëndësi vetëdija tek të gjithë të jetë në nivel të lartë, posaçërisht në raport me rekomandimet, por edhe lidhur me sjelljen përgjegjëse, posaçërisht në rrjetet sociale. Të mos na udhëheqin emocionet në vend të maturisë dhe të mos lëmë hapësirë për reagime paniku para asaj që është reale”, theksoi Spasovski.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, ai përmendi se tubimet publike dhe ngjarje të tjera në ambiente të hapura tani për tani nuk janë ndaluar, as që ka arsye për atë. Vendime lidhur me këto dhe çështje të ngjashme do të sillen në bazë ditore, varësisht nga rrjedha e ngjarjeve.

Janë siguruar, informoi kryeministri, edhe objektet adekuate, si dhe hapësirat për izolim plotësues, nëse për të shfaqet nevoja.

Paraprakisht gjatë ditës së sotme ministri Filipçe tha se rast me koronavirus nga rajoni ka në Kroaci, ndërsa sot është konfirmuar rasti i parë edhe në Greqi. Në Shqipëri koronavirus, siç tha Filipçe, ende nuk ka, ndërsa në Kosovë priten informacione.

A.SH.