Koordinatori i QNR-së paralajmëron se mund të ketë përsëri numërim të votave


load
Gazeta Express
16 Tetor 2019 14:31

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj, ka deklaruar se mbrëmë ka përfunduar procesi i rinumërimit të 314 vendvotimeve.

Ahmetaj theksoi se rinumërimi ka shkuar normalisht, pavarësisht se ka marrë kohë për shkak të numrit të pjesëmarrjes në vendvotime.

“Procesi i rinumërimit të 314 vendvotimeve, të cilat është marrë vendim nga KQZ-ja për rinumërim për shkak të gabimeve në printimin e formularëve të rezultateve dhe kanë përfunduar gjatë ditës së djeshme rreth orës 21:40”.

“Procesi ka rrjedhur normalisht edhe pse kemi pasur të bëjmë me vendvotime që kanë pasur pjesëmarrje të madhe të votuesve në zgjedhje kjo ka marrë kohë 4 orë që të bëhet rinumërimi i një vendvotimi, për këtë arsye procesi ka shkuar më ngadalë sesa e kemi paraparë”, tha ai.

I pyetur se sa ka gjasa të bëhet rinumërimi edhe i vendvotimeve tjera, Ahmetaj tha se QNR-ja është në përgatitje të raportit për procedimin e formularëve të rezultateve, që do të thotë votat e subjekteve dhe kandidatëve duhet të përputhen.

Sipas tij, në rast që ka mospërputhje të votave atëherë do të hetohen dhe KQZ-ja merr vendim që të shkohet në rinumërim.

“Akoma jemi në përgatitje të procesit të raportit të auditimit i cili rrjedh nga procedimi i formularëve të rezultateve, ku votat e subjekteve dhe kandidatëve duhet të përputhen”.

“Në rast se mos përputhjen votat e subjekteve dhe kandidatëve, të gjitha këto raste do të identifikohen në auditim, hetohen dhe do të përgatitet raporti për KQZ-në dhe në bazë të rekomandimeve të QNR-së, atëherë KQZ mund të marrë vendim lidhur me vendvotimet të cilat mund të shkojnë në rinumërim”, tha Ahmetaj.

Te fundit


Kthehu lart