Kontakti i parë i Ramush Haradinjat me njeriun e Erdoganit në Prishtinë


Gazeta Express
4 Prill 2019 16:16

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim zyrtar ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar.

Ministri turk, Akar, dje ka vizituar edhe Republikën e Maqedonisë Veriore, të cilëve u ka kërkuar që të dorëzojnë ‘gylenistët’.

Por a i ka kërkuar një gjë të tillë edhe kryeministrit Ramush Haradinaj në takimin e sotëm?

Në njoftimin e lëshuar nga vetë kryeministri, nuk është potencuar një gjë e tillë, por vetëm thuhet që kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët, përfshirë këtu edhe për shkollat ushtarake brenda standardeve të NATO-s.

“Me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, bashkëbiseduam për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë shkëmbimet e përvojave dhe doktrinave ushtarake, në suaza të parimeve dhe standardeve të NATO-s. Duke e uruar ministrin Akar me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, e falënderova atë për kontributin e personelit ushtarak e civil turk brenda KFOR-it për paqe dhe siguri në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij zyrtar.

Ndërkohë dje Akar ka qëndruar për një vizitë në Maqedoninë e Veriut prej të cilëve ka kërkuar dorëzimin e ‘gylenistëve’.

Akar kishte treguar se i kanë listuar disa prej emrave kryesor, të asaj që e ka quajtur ‘organizatë terroriste’.

 “I kemi emrat e disa prej personave kryesorë të organizatës terroriste dhe thellë jam i bindur se ditët e ardhshme institucionet e Maqedonisë së Veriut do të ndërmarrin masa konkrete lidhur me këtë. U besojmë institucioneve të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ministri turk i mbrojtjes, Akar pas takimit në Shkup me ministren e mbrojtjes të Maqedonisë, Radmilla Sheqerinska./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart