Konjufca: Thaçi e PDK s’duan zgjedhje, PSD satelit i PAN’it


Arlena Krivenjeva
31 Korrik 2019 16:38

Shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se presidenti Hashim Thaçi qëndron prapa skenarit të PDK-së, që të mos ketë zgjedhje në Kosovë. Duke ftuar që të shkohet me shpërbërje të Kuvendit, ai po thotë se një gjë e tillë do të ndodhë posa që LDK t’i përfundojë zgjedhjet e brendshme. Konjufca tregon edhe pse nuk do të ketë koalicionin parazgjedhor në mes të VV-së e LDK-së, e se kush e meriton postin e kryeministrit.

Arlena Krivenjeva

Deputeti Glauk Konjufca ka komentuar edhe vendimin e Ramush Haradinaj për dorëheqje nga pozita e kryeministrit pas ftesës që ai mori për t’u paraqitur në Hagë.

A kanë marrë deri më tani ftesë nga Presidenti Hashim Thaçi për t’u konsultuar për zgjedhjet, e se si iu përgjigjen akuzave të ministrave të PDK-së.

Glauk Konjufca ka treguar se me cilën parti ka Vetëvendosje vija të kuqe, derisa Partinë Social Demokrate të Shpend Ahmetit e ka quajtur satelitë të koalicionit PAN.

Cili është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit si dhe për veprimet që kanë pasur pas dorëheqjes?

Mendoj që ato terminologjia e përshkruan dorëheqjen e Ramush Hardinajt dhe çka ka ndodhë më pastaj është një far kombinimi fort i keq i lakmisë me paditurinë. D.m.th. i lakmisë për shkak që ai ende nuk po ka fuqi me e kuptuar se nuk është më kryeministër pasi të japësh dorëheqje, edhe i paditurisë sepse ai nuk e po e dinë që nuk është më kryeministër, sepse po thërret mbledhje të Qeverisë e po merr vendime të rëndësishme, e pastaj që padituria me u bë edhe më qesharake kjo puna e drejtimit ka Gjykata Kushtetuese për me i tregu atij për vendimet e veta, ja ka nisë kjo tragjikja me u bo komike ka pak. Ky është kombinimi që më së miri e përshkruan këtë situatë që e përshkruan Haradinajn, lakmi me padituri.

Si e vlerësoni skenarin që po e proklamon presidenti i Hashim Thaçi për të ri konstruktuar qeverinë?

Ne mendojmë që Thaçi është plotësisht në skenar të PDK-së tash, e skenari i PDK-së është që të mos ketë zgjedhje në Kosovë. Arsyeja e vërtetë pse ata punojnë fort për këtë skenarë është fakti se atë simpatinë që e gëzojnë në popull, unë mendoj që PDK është në pikën e tyre më të ulët të mundshme prej që ekziston, arsyet janë të ditura për shkak të keqqeverisjes, për shkak të veprimeve të tyre të gabimeve, konspiracionit shumë të lartë, çka i kanë bërë Kosovës, për çka populli për shkak të jetëgjatësisë së tyre në pushtet i konsideron si faktorët kryesorë, të krejt këtyre gjërave negative nëpër të cilat po kalon Kosova. Tash Thaçi faktikisht po do me gjet një zbrazëti ligjore apo  kushtetuese që do t’ia mundësonte një far manovre përfundimtare për shtyrjen e zgjedhjeve. Ne nuk pajtohemi për këtë qasje. VV ka bërë thirrje gjithmonë për zgjedhje të menjëhershme. Kështu duket se janë edhe partitë tjera, ndonëse edhe PDK thotë publikisht, prapë se prapë përmes këtyre veprimeve të presidentit, unë mendoj që presidenti përmes veprimeve të tij po e shpalos skenarin e vërtetë të PDK-së dhe jo deklaratat e Abelard Tahirit apo të ndonjë zyrtari më të parëndësishëm të PDK-së.

Tash kur po flasim a keni marrë ndonjë ftesë për takim me presidentin?

Jo ne nuk kemi marrë kurrfarë ftese, ne kemi thënë bile unë e pata potencuar në një konferencë për shtyp se Vetëvendosje nuk merr pjesë në kurrfarë, le të themi kalkulime të tjera që kanë lidhje me mandatarin e ri, me vazhdimin e jetës së Qeverisë apo zëvendësimin me një qeveri tjetër pa zgjedhje. Pra Vetëvendosje nuk do të bëhej pjesë e kurrfarë takimi të tillë, përveç se nëse do të flitet për datën e zgjedhjeve. Ai do të ishte një takim simbolik ku ne e themi qëndrimin që zgjedhjet të mbahen menjëherë.

Së fundmi ministrat në largim të PDK-së kanë pasur disa akuza kundër VV-së, dje Abelard Tahiri ju ka ftuar që të ktheheni nga plazhi?

Unë do ta kisha ftuar Abelard Tahirin që mos me i marrë gjërat me siklet qysh po i merr, secila e ka vendin e vet. Pushtimet e kanë vendin e vetë, edhe fitoja e VV-së që do të vijë pas pak javësh e ka vendin e vetë, sipas mendimit tim. Nuk ka nevojë me u sikletu fare, aktivistët duhet t’i kryejnë pushimet ashtu si edhe populli i Kosovës, unë mendoj që qindra mijëra qytetarë janë në pushime tash nuk ka nevojë Abelard Tahiri me e ofendu askënd, ata do të kthehen dhe ndryshimi do të ndodhë në Kosovë.

Partnerët e koalicionit qeverisës në largim i shpërfaqën mospajtimet pas dorëheqjes së Haradinajt, dje Kadri Veseli e ka injoruar ftesën e Haradinajt për takim. A vazhdojnë të radhiten në anën e njëjtë partitë e koalicionit PAN?

Tash këtu ka filluar një garë, këta garë pe shohin edhe vetë tash në këtë kohë edhe këto procedurat përmes të cilave është e nevojshme që të shkohet deri në zgjedhje nuk ka nevojë me bo garë për këtë punë, të gjitha subjektet janë për zgjedhje, kjo do të mund të ndodhte shumë shpejtë me një vetë shpërbërje të Kuvendit të Kosovës, kjo mund të ndodhë këtë javë më së largu në javën e ardhshme, po nuk bën të zgjatet më shumë. Nuk ka fushatë zgjedhore në këtë punë, nuk ka nevojë me u shty Kadriu edhe Ramushi për këtë punë hiç, Vetëvendosja e ka thënë e para javën e kaluar, jo që na mendojmë që idetë e tilla e kanë patentën e zbulimit po thjesht s’ka nevojë me u bo garë në këtë punë, thjesht kuvendi me u mbledhë sa më shpejtë dhe dy të tretat e deputetëve me e qu dorën për me u shpërbë parlamenti edhe me shku në zgjedhje.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj tha dje se duhet të pritet që LDK të zgjedhë kryetarin pastaj të shkohet më shpërbërje. A po pritet 3 gushti para se të thirret seancë e jashtëzakonshme?

Ndoshta është një arsye edhe zgjedhjet e brendshme të LDK-së, duhet edhe ato të kryhen deri aty i kemi edhe tri ditë, unë mendoj që deri javën e ardhshme kuvendi duhet të shpërbëhet në mënyrë që ne faktikisht në mesin e shtatorit të kemi zgjedhje në Kosovë më së largu.

Mendoj që LDK është shumë e zënë me zgjedhjet e veta të brendshme, nuk kemi pasur mundësi që të zhvillojmë takime me ta, po i presim që të përfundojnë zgjedhjen e kryetarit të tyre, dhe më pastaj drejtpërdrejtë duhet të ketë një kontakt minimal mes subjekteve të cilat pajtohen të gjitha për zgjedhje, e pavarësisht kush e thirr një seancë të tillë kjo duhet të kishte kuptimin vetëm si shpërbërje në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja.

A ka Lëvizja Vetëvendosje vija të kuqe për ndonjë parti? Pse u shua ideja për një koalicion të mundshëm parazgjedhor me Lidhjen Demokratike?

Lëvizja Vetëvendosje i ka shpjeguar pozicionet e veta në vazhdimësi, këto pozicione së pari kanë të bëjnë me atë që ne mendojmë që do të duhej të ndodhte në Kosovë së pari, e kjo do të ishte që pushteti i deritanishëm kështu siç është do të ishte mirë që të shkonte në opozitë. Tjetra është që Lëvizja Vetëvendosje prej të gjitha koalicioneve parazgjedhore e preferon një koalicion me LDK-në, sepse kjo do të shkaktonte një fitore masive në nivel nacional e cila nuk do të diskutohej dhe prej të cilave do të rrjedhin e drejta e qeverisë, e drejta për me e udhëheqë Kuvendin pa kompromise tjera, mirëpo, meqenëse LDK ka shpjeguar konceptin e vetë që nuk po donë koalicionin parazgjedhorë me VV-në atëherë tashmë është e qartë se pothuajse se këto subjektet më të mëdha politike që janë LDK e VV ka shumë gjasa që të shkojnë në zgjedhje veçmas, pas zgjedhor natyrisht që nuk përjashtohet është më i mundshmi dhe ma i pëlqyeshmi.

Nëse shkohet me koalicion paszgjedhor dhe Vetëvendosje e LDK fitojnë zgjedhjet, kush merr postin e kryeministrit?

Unë uroj që në krye të LDK-së të vijë një kryetar që e sheh prej një prizmi pozitiv bashkëpunimin me Vetëvendosjen mirëpo, pavarësisht se kush vjen kryetar në LDK, unë mendoj që për kryeministër do të ishte dukshëm më i papërgatitur se Albin Kurti, kushdo që vjen pa përjashtim.

A ka gjasa për ndonjë bashkëpunim me PSD-në?

Jo nuk ka diskutime të tilla në Lëvizjen Vetëvendosje. Mendoj që pushteti aktual që ka qenë deri tani në Qeverisje që ka qenë në Qeverisje e kjo i bie akronimi PAN do të ishte më së miri për Kosovën që të përfundonte në opozitë, po nuk do të ishte keq që koalicioni PAN në opozitë me i marrë edhe satelitët e vetë./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart