Konjufca: Qeveria po e lë të hapur mundësinë për ripërtëritjen e kontratës me Z-Mobile


Gazeta Express
12 Korrik 2019 15:00

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për shkeljen e rezolutës së Kuvendit për Telekomin nga ana e Qeverisë.

Drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, ka thënë se që nga 12 korriku i vitit 2018, Qeveria e ka shpërfillur këtë rezolutë.

“Më 12 korrik të vitit që shkoi Kuvendi i Kosovës me propozimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të LDK miratoi rezolutën për Telekomin dhe masat qe qeveria si aksionari i kësaj ndërmarrje publike, ARKEP, Auditori dhe Prokuroria duhet të merrte për të parandaluar dëmet e mëtejshme”.

Konjufca ka folur edhe për kontratën famëkeqe me Z-Mobile.

“Rezoluta i përmban 12 pika. Nga to vetëm një pikë është përmbushur. Pika ku kërkohet raporti i Auditorit të përgjithshëm. Ai raport u bë publik në afatin më të fundit, pra në fundin e muajit qershor. Dhe siç pritej në atë raport paraqiten një seri shkeljesh të cilat Auditori nuk duhet të hezitoj, nëse ende nuk i ka dërguar, në Prokurori. Po ashtu jemi duke ndjekur me shumë vëmendje veprimet e vendimet lidhur me shkëputjen e kontratës famëkeqe me Z-mobile”.

Sipas Konjufcës, Qeveria Haradinaj me neglizhencën e saj po e lë derën hapur për ripërtëritjen e kësaj kontrate.

“Ende menaxhmenti dhe Qeveria, nuk po shprehen në mënyrë të qartë lidhur me këtë temë. Ata kanë lënë derë të hapur për mundësitë që të ripërtërihet kjo kontratë. Çka do të ishte fatale për Telekomin e Kosovës, dhe ndikimin që dëmtimi i kësaj ndërmarrje strategjike ka në të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike dhe në ekonominë e vendit”.

Konjufca, po ashtu, tha gjatë konferencës se në raportin e auditorit, gjetja më e rëndësishme lidhet me praktikën “Sim to Sim” dhe vjedhjet në trafik.

“ Mbi 90% e numrave që e zbatojnë këtë praktikë vijnë nga operatori MVNO5, pra janë numra të ‘Z-mobile’. Siç dihet në kontratën mes ‘Z-mobile’ dhe Valës se nëse gjindet nje praktikë e tillë, Vala, pra Telekomi, ka të drejtë ta shkëpusë kontratën me këtë operator. Do të thotë se Qeveria tashmë i ka të gjitha argumentet për ta shkëputur një kontratë të tillë, e ka rezolutën në fuqi e cila është miratuar prej shumicës së deputetëve, i ka gjetjet e auditorit për shkeljet që i ka bërë vetë ‘Z-mobile’”.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se prej Telekomit kanë përfituar Monako Telekom dhe partitë PDK, AAK, Nisma dhe grupe tjera.

“Modeli që qeveria e Kosovës e ka aplikuar për Telekomin është ky që e shihni. Telekomi është shfrytëzuar që prej tij të përfitojnë shumë qarqe. Prej Telekomit ka përfituar Monako, ‘Z-mobile’, prej Telekomit ka përfituar sidomos PDK, AAK, Nisma si dhe grupe të tjera. Vetëm Kosova nuk ka përfituar nga Telekomi. Sepse Telekomi është i zhyrtur në borxhe. Të gjithë këta po përfitojnë miliona, kurse Telekomi është në borxhe. Këto parti e grupe kanë pasur plane për punësim partiak përmes Telekomit, por askush në Kosovë nuk e di se a ka pasur ndonjë plan qeveritar se si të zhvillohet Telekomi. Për shkak të këtyre praktikave shkatërrimtare e kemi këtë gjendje që e kemi. Tani ekziston vetëm një plan, ai i privatizimit të Telekomit, dhe aty pret një radhë tjetër e korrupsionit”.

Konjufca ka bërë thirrje për zbatimin e rezolutës, ndërprerjen e kontratave të dëmshme, si ajo me Z-Mobile dhe hetimin e hollësishëm nga prokuroria. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart