Kongresi amerikan voton që SHBA’ja ta tërheqë ndihmën për Arabinë Saudite në luftën e Jemenit


Gazeta Express
4 Prill 2019 23:24

Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka votuar për ndalimin e përfshirjes se SHBA-së në luftën e Jemenit, por ndaj këtij vendimi pritet që presidenti Donald Trump ta përdorë veton, dhe ta vazhdojë ndihmën ndaj Arabisë Saudite.

Kongresi votoi me rezultat 247 pro dhe 175 kundër, në mënyrë që presidenti Trump të ndalojë përfshirjen e ushtrisë amerikane në koalicionin e Arabisë Saudite, që është përfshirë në luftën e Jemenit.

“Kongresi nuk do të vazhdojë të injorojë obligimet kushtetuese kur kemi të bëjmë me politikën e jashtme” tha Eliot Engel, kryetari i komisionit për punë të jashtme dhe kongresist nga radhët e demokratëve.

“Lufta në Jemen është në vitin e pestë dhe kërkon një udhëheqje të moralshme” shtoi Engel.

Përfaqësuesit Republikanë votuan kundër kësaj rezolute.

Kongresisti republikan Michael McCaul tha se demokratët e komplikojnë situatën me një vendim të tillë.

“Ky është një interpretim radikal, që do të ketë pasoja dhe komplikime edhe përtej Arabisë Saudite” tha McCaul.

Trump pritet që ta shfrytëzojë të drejtën e vetos për këtë vendim të kongresit, dhe nëse e bën këtë, kjo do të jetë hera e dytë që ai përdorë veton gjatë presidencës.

E drejta e vetos, së pari u shfrytëzua nga Trump kur kongresi votoi që ta ndal “gjendjen emergjente” në kufirin jugor.

Trump kishte shpallur një gjendje emergjente në kufirin me Meksikën, ndërsa kongresi tentoi që përmes një rezolute ta ndalojë këtë veprim, megjithatë, Trump e përdori veton për ta pamundësuar shfuqizimin e vendimit të tij.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart