Kongoli rrëfen betejën me sëmundjen dhe librat e rinj


Gazeta Express
18 Qershor 2019 11:16

Viti 2018 qe për të i vështirë, ku parabola e jetës e bëri të prekë minimumin e frikshëm. Të prekte fundin, ose, siç rrëfen ai vetë në momente të errëta, ta dëshironte atë. Për Fatos Kongolin, kjo është një jetë e dytë ose një mrekulli që prodhon të tjera të tilla, si “Gënjeshtarë të vegjël”, që sapo ka zgjuar vëmendjen e lexuesit

Xhentëlmen dhe i përpiktë si ngaherë, ndoshta tanimë, pas sëmundjes, edhe më i ndjeshëm. “Tani jam mirë, mund edhe të vrapoj!”, më rrëfen me humor, teksa një kollë e lehtë paraprin bisedën. Botimi i librit i ka dhënë ndjesi të veçanta lumturie dhe sapo ka nisur të marrë sodisfaksionet e para. Fieri, në këtë edicion të 6-të të Panairit Kombëtar të Librit, që u organizua në këtë qytet, e vlerësoi “Gënjeshtarë të vegjël” si romanin më të mirë. E bashkë me këtë histori intriguese, shkrimtari udhëtoi drejt një tjetër Panairi për librin, atij të Prishtinës, ku u shpall dje si “Shkrimtari i vitit”, në këtë edicion të 21-të. Kosovës i është mirënjohës, pasi ka ditur t’ia njohë meritat letrare, por edhe njerëzore në momente kritike, si ai pas botimit të “Iluzione në sirtar”.

Ndërkohë që bisedojmë, prania e tij ka tërhequr vëmendjen e një lexuesi, i cili me mirësjellje kërkon një autograf. E pranon, se ky është ndër momentet më të lumtura për të, teksa bën shënimin e tij për Astrit M. U gëzohet këtyre çasteve me sinqeritetin e një fëmije.

“Është kënaqësi e veçantë, nuk e di për kolegëet e mi të tjerë shkrimtarë, por unë e përjetoj me shumë intensitet takimin me lexuesin, veçanërisht kur më thonë fjalë të mira” (qesh). Tani që është mirë, mund të flasë për çastet që mbytën dëshirën e tij, për të jetuar, aq sa të mendonte eutanazinë. “Kam qenë vërtet shumë keq, aq sa dëshiroja të ikja. Isha gjysmë i vdekur, në mos më keq. Vajta atje, trokita në portën e Shën Pjetrit, por nuk ma hapën.

Më thanë të kthehesha”, tregon shkrimtari. Do të kalonte një operacion të vështirë, të kryer në dy faza, gjatë janarit dhe shkurtit të 2018-ës. E ndërkohë, përveç bashkëshortes, familjarëve e miqve, kthimin e tij e priste edhe krijesa më e fundit letrare, e lënë përgjysmë në laptopin e tij. “E kisha nisur 3 vite më parë, me pak druajtje, ashtu siç unë i nis gjërat. Por operacioni më dërrmoi dhe më bëri që të harroja këtë e shumë gjëra të tjera. Gjatë këtyre momenteve kllapie, nuk e mendoja se do të bëhesha ndonjëherë për të shkruar. Por ja, ndodhi kështu, që sëmundja e të shkruarit të qe për mua shumë më e fortë se sëmundja që desh më hëngri kokën”.

MOMENTET PAS OPERACIONIT, URAGANI “SENDI” DHE LIBRI I LËNË PËRGJYSMË…

Gjatë nëntorit të 2018-ës, në Panair, ku patëm mundësi t’i gëzoheshim rikthimit të tij në stendën e librave, kureshtjen tonë e të lexuesve nëse do të kishim një libër të ri, e la të pashuar. Nuk i pëlqen të flasë për këtë dhe e thotë pa drojë se në këtë pikë mund të quhet supersticioz. Mirëpo, përgjigjja e tij jomohuese, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, na la të shpresonim.

“Tani u zbulua, paska qenë ‘Gënjeshtarë të vegjël!’, i them. Por, subjektet që vlonin në mendjen e shkrimtarit kanë qenë në fakt më shumë se një. Në ato momente të vështira kllapie në spital, shkrimtari kujton se ndër vizitorët, miq e familjarë (rrëfen se nuk kanë qenë shumë), dikush i ka thënë që të shkruante për këto çaste, për ndjesitë para dhe pas operacionit, qoftë edhe për mendimin fatal për t’u larguar nga kjo jetë.

“Asokohe nuk e kuptoja nëse isha gjallë apo jo. Dhe në atë hapësirën ku priten me njëra-tjetrën vetëdija dhe pavetëdija, më kujtohej ky sugjerim, por se kush ma kishte thënë, jo. Asnjë fytyrë! E ndoshta për këtë arsye, më erdhi ndërmend një tjetër sugjerim që më ishte bërë shumë kohë më parë, për një ngjarje të ndodhur në Amerikë, kur unë jetoja atje”. Në 29 tetor të 2012-ës, përgjatë Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara, ku shkrimtari jetonte pranë dy fëmijëve të tij, djalit dhe vajzës, ndodh një nga uraganet më shkatërruese që la pasoja si në njerëz, ashtu edhe në materiale.

Shkrimtari, asokohe, jetonte tedjali i tij, ndërsa shumë afër banonte edhe e bija. “Mbaj mend se dikujt i pata treguar këtë historinë e uraganit, madje duke i folur edhe për një detaj. Se si në një rrugë, ndërsa ne ishim duke shkuar në aeroport për t’u kthyer në Shqipëri, ne hasëm një anije. Uragani e kishte marrë dhe e kishte sjellë në mes të rrugës”. Do t’i sugjeronin kështu që këtë histori ta shndërronte në subjektin e ardhshëm të librit të tij, ndaj, pas daljes nga spitali, ku qëndroi për 3 muaj, këto dy ide do ta ngacmonin herë pas here. Por, edhe në këtë periudhë gjendja e tij ishte ende kritike, dhe siç thotë, nëse ia doli mbanë, një meritë të madhe ka miku i tij francez.

Julien Roch jeton prej disa vitesh në Shqipëri dhe ka gjithashtu nënshtetësi shqiptare. “Atij i detyrohem jetën! Pasi dola nga spitali, në 20 mars të 2018-ës, erdhi dhe më mori në vilën e tij në Qerret, duke më ofruar të gjithë shërbimin e nevojshëm që të rikuperohesha. Kështu, falë ndihmës së tij, e kisha marrë veten, isha ngritur në këmbë, ecja… Ndaj, në 1 shtator, pas 8 muajsh, u ktheva në shtëpi. Tani po e tregoj, por kanë qenë momente jashtëzakonisht të vështira, me tuba në trup…”. Tani që me shëndet ishte më mirë, nevojën e brendshme për të shkruar e ndiente edhe më shumë. Dy sugjerimet, si subjekte për libra të rinj i zienin në kokë, po ndërkohë në mendjen e tij thërriste gjithashtu një roman i papërfunduar.

Teksa përpiqet të hap laptopin e tij (me sugjerimin e mikut të tij, Edmond Tupes, prej pak kohësh kishte nisur të shkruante me kompjuter), sapo i kujtohet pasuordi, “Aventura”, has aty librin e lënë përgjysmë… “M’u duk si një krijesë e braktisur… Dhe nuk kisha dyshime, detyrimi im i parë ishte të shlyhesha më këtë qenie të lënë aty në harresë… Vijimin e romanit e kisha gati, pasi e kisha menduar gjatë kohës që isha sëmurë, kjo bëri që ta mbaroja brenda disa muajsh. Ndërsa fundi ka dalë vetvetiu, pasi kështu ndodh, fundi të imponohet gjatë rrugës. Është diçka metafizike. E kam përfunduar në fillim të marsit, e kam shënuar edhe këtu…(më dikton pjesën e fundit të romanit “Në vend të epilogut”, ku ka shënuar “Tiranë, më 6 mars 2019”).

SUBJEKTI I ROMANIT, NGJASHMËRITË (NUK) JANË TË RASTIT…

“Arsyet, ku nuk dua të ndalem, më shtyjnë, të mos e zbuloj emrin e fshatit. Mund ta marrësh me mend, unë nuk e kam të vështirë të sajoj një emër të rëndomtë, nga ata që i has pothuaj në të gjitha krahinat e Shqipërisë, në jug e në veri, fjala vjen Qafë, Qerret, Dardhë ose Mollas, Gur i Bardhë, Golem ose Gur i Zi, e kështu me radhë. Në vend të kësaj, nën ndikimin e leximeve, parapëlqej ta shënoj me një shkronjë. Më del se më e përdorura në raste të tilla është shkronja N…”.(nga romani “Gënjeshtarë të vegjël”). Autori, subjektet e librave të tij i merr nga përjetimet, ngjarje apo histori që i ka njohur nga afër. Ndaj, dikush që njeh jetën e tij duke lexuar “Gënjeshtarë të vegjël”, mund të bjerë në grackë e të mendojë se fshati N, është ai i Shmilit të Elbasanit, ku shkrimtari ka jetuar e punuar si mësues.

“Kam qenë në fshatin Shmil vite më parë, ku kam njohur edhe një zonë të thellë malore. Një vend i bukur, por i thellë dhe i varfër, por fshati ose zona N., është kryeqendra e një zone, ku ka disa fshatra të tjerë. Është një fshat, që gjithashtu e kam njohur. Ma ka sjellë rasti të jetoj dhe punoj atje në periudha të caktuara, por është i ndryshëm nga fshati i dikurshëm, të cilin e kam rrëfyer te ‘Lëkura e qenit’. Pra, fshati N. nuk është fryt i fantazisë, unë kam jetuar atje dhe jam kthyer disa herë,çdo gjë është ashtu si e jap në libër. Madje, edhe kohët e fundit, edhe pse unë nuk kam qenë aty, kam pasur kontakte me njerëzit që janë aty. Për të verifikuar njohuritë e mia, pasi nuk mund të shkruash më kot. Njerëzit janë të vëmendshëm, lodhen shpejt nga sajesat”.

Edhe pse në fillim të librit autori shkruan se “Çdo ngjashmëri me persona, mjedise dhe ngjarje reale është e rastit. Gjithçka në këtë libër është prodhim i fantazisë”, ai tregon me humor se ndoshta në këtë rast do të ishte më mirë të shkruhej se “ngjashmëritë nuk janë të rastit” . “Por kjo mund t’i hapë autorit shumë punë, ndaj ajo frazë është si një parapritë që bën. Sepse shumë njerëz mund të gjejnë aty ngjashmëri me jetën e tyre dhe mund t’i marrin për personale. Mua më ka ndodhur ky keqkuptim te ‘Gjemitë e mbytura’, ku personazhet i ngatërronin me historinë e dy vëllezërve…”.

“SHPIRTI I KULLUAR, NË KUPTIMIN ABSOLUT, NUK MUND TË EKZISTOJË”

Protagonisti i romanit “Gënjeshtarë të vegjël”, pas aventurës së dështuar kryeqytetase në një të ardhme, fillimisht të projektuar nga i ati, arrin deri aty sa në një moment e konsideron veten si “eksperiment të dështuar” të tijin. Haset një zemërim, disi i butë, që pa dashje të çon në mendje vendimin që i ati i shkrimtarit mori për të për ta bërë matematicient, pa dëshirën e tij.

“Kur e kam shkruar librin, nuk e kam menduar diçka të tillë, por nuk gaboj nëse them se ndoshta është diçka subkoshiente që ka dalë vetvetiu, si refleks i përjetimeve të mija. Mund të jetë edhe kështu, pasi del diçka nga subkoshienca që merr një tjetër formë”, shprehet Kongoli. Edhe në këtë roman, ngre krye “ish-kolegu” ndër personazhet, dhe është ai që ngacmon së pari te protagonisti ndjesitë e smirës, apo të xhelozisë e i shtin ndërmend të tilla mendime: “S’më pëlqen të marr pozën e shenjtorit. Fatkeqësisht, për mua, përrallën për ekzistencën e njerëzve me shpirt të kulluar nuk e besoj. S’di ku e nga kush e kam lexuar për herë të parë se njeriu e ka ligësinë brenda vetes, lind bashkë me të” (mendime të Alpinit, nga “Gënjeshtarë të vegjël”)…

Këto ndjesi e mendime të personazhit autori rrëfen se i ka të përshtatura, por edhe të përjetuara. “Natyrisht që nuk mund të shpiken. Shpirti i kulluar në kuptimin absolut nuk mund të ekzistojë, s’ka sesi. Sepse natyra e njeriut është e tillë, që ka egoizmin brenda. Problemi është që njeriu duhet të dijë të frenohet, t’i mëshojë më shumë arsyes, se po nuk e arriti këtë, çdo gjë tjetër është e mundshme.

Me këtë shpjegohen edhe luftërat, krimet apo çdo e keqe që mund të bëjë. Shoqëria është ende në foshnjërinë, primitetin e vet. Kjo i shpjegon, por unë shkruaj letërsi, interpretime s’di të bëj”. Por, autori është i ndërgjegjshëm, se ajo çka njeriu mund të bëjë shpesh varet nga rrethanat, pasi në raste trysnie apo situatash të veçanta, shumëkush mund të dalë nga vetja. “Mua më ka ndodhur shumë rrallë, pasi përgjithësisht e kam përmbajtur shumë veten. Por për ato një apo dy raste, jam bërë shumë pishman.

Nuk harrohen gjithë jetën ato momente”. RIKTHIMI NË PIKËNISJE Protagonisti i “Gënjeshtarë të vegjël”, pas përpjekjeve të dështuara për të ndërtuar të ardhmen në kryeqytet, zgjedh të rikthehet aty ku gjithçka nisi. “Ëndrra e të atit dështon. Një ëndërr që zgjat 12 vjet, derisa ai kupton që kishte qenë një orvatje e gabuar. Ai mund edhe të qëndronte, sepse i kishte të gjitha, por nuk mund të rrinte në një mjedis, që nuk mund të ishte i tij.

Pra, largohet nga ajo që ai e quan si ‘ferr kryeqytetas’. Ky është thelbi i romanit”, tregon Kongoli. Shkrimtari pohon se në strukturë romani është i ngjashëm me “I humburi”, ku personazhi kryesor lë qytezën e tij gjatë eksodeve në ’91-shin, e shkon në portin e Durrësit. Hipën në anije e në momentin e fundit zbret.

“Ashtu edhe Alpini, bën një tjetër eksod, eksodin e jetës e në fund kthehet. Në të dyja rastet, protagonistët kthehen andej prej nga ikën”, thekson ai. Po ashtu, ngjashmëri mes dy romaneve vërehen edhe në thyerjet që autori bën me kalimet herë në vetë të tretë, herë në vetë të parë.

KATHARSISI I AUTORIT

Tregon se rikthimi i protagonistit, atje ku historia zuri fill, është edhe një lloj katharsis për të. Një pastrim apo çlirim i brendshëm i domosdoshëm, të cilin vetë autori u mundua ta arrijë me romanin “Iluzione në sirtar”. “Unë kam shkruar shumë libra, por ky ka një domethënie të madhe për mua. Është një ballafaqim i letërsisë që kam shkruar dhe jetës sime. Ai fillimisht u prit me këmbët e para, e ç’nuk u tha për mua atëherë. Kanë kaluar 8 vjet që prej botimit dhe koha ka sqaruar shumë gjëra. Ndaj e bëra për këtë arritur këtë katharsis, për të cilin po flisni. Për asgjë tjetër!”. Rrëfen se qenë të shumtë ata që e sulmuan, por pati edhe nga ata, që i dolën në krahë.

“Njerëz me mend, të cilët më mbrojtën e që u jam shumë mirënjohës, pasi ajo ishte një periudhë kur u krijua një histeri e vërtetë kundër meje. U kapën me një episod që unë pata guximin të rrëfej e që më çliroi, por ai libër ishte 400 faqe, kishte shumëçka për të folur”. Me atë libër, autori tregon se kërkonte të shkonte “Në kërkim të kohës së humbur”, një titull prustian, të cilën e pat menduar si të përshtatshëm, por që ndoshta do të hapte të tjera polemika. Rrëfen se kolegët asokohe treguan mirëkuptim, me përjashtim të njërit prej tyre. “Të gjithë e dinin e më vonë u mësua si ishte e vërteta. Unë isha ‘fuori gioco’ në atë histori, krejt i jashtëm, e them edhe në libër ‘Kush më ka ngatërruar në atë histori’”. Mirëpo, koha, siç ai pohon, kullon historitë e të vërtetat. Dhe ‘feedback-un’ e parë pozitivi libri asokohe do ta merrte në Kosovë, ku edhe u vlerësua me çmim, e madje vitet e fundit do të përkthehej edhe në Italisht. “Mirëpo, unë vuajta realisht shumë atëherë nga e gjitha kjo”, shprehet shkrimtari.

“KUR I THASHË VETES: JAM SHKRIMTAR!”

Ai shkruan, sepse siç tregon, nuk mund të bëjë dot ndryshe…, është diçka që i vjen së brendshmi. E gjithë “aventura” nisi kur jetonte në zonën malore të Elbasanit dhe iu botuan disa shkrime në gazetën “Drita”. “Aty nisi të më dukej vetja shkrimtar, kjo është sëmundja e të gjithë fillestarëve. Sapo shkruajnë diçka, u mbushet mendja se janë shkrimtarë, madje edhe të mirë. Kështu edhe unë, asokohe i thashë vetes: Jam shkrimtar! Është sëmundja e të gjithë talenteve të reja.

Një pjese e atyre që shkruajnë e kuptojnë shumë shpejt, se ky është një iluzion, të gënjesh veten. Kur fillova të kuptoj se ç’është letërsia e vërtetë, kuptova që nuk isha shkrimtar, isha fillestar. Edhe ka që nuk e kuptojnë kurrë, e mbeten gjithë jetën talente të reja. Dihet kjo!”, shprehet Kongoli.

NJË 3-VJEÇAR PA SHKRUAR DHE LETËRSIA E DHIMBJES NJERËZORE

Përfundimi i “Gënjeshtarë të vegjël” u parapri nga një periudhë 3-vjeçare pa krijuar. Rrëfen se kjo nuk është periudha më e gjatë që ka ndenjur pa shkruar. “Kam pasur edhe periudha të tjera që kam ndenjur edhe më gjatë pa shkruar para viteve ‘90, edhe pse arsyet qenë të tjera. Atëherë kam shkruar pak, pasi erdhi një kohë që e kuptova se letërsinë, ndaj së cilës isha i prirur, nuk mund ta bëja. Dhe kjo është ajo që quhet letërsia e dhimbjes njerëzore. Një letërsi shumë e përhapur në botë, që përfaqësohet me dy korifenj të mëdhenj, Dostojevskin dhe Kamy-n. Pra, unë isha i prirur ndaj kësaj letërsie, që atëherë ishte e ndaluar, pasi nëse e shkruaje, të prisnin jo gjuhën, por edhe kokën! Na e kanë mësuar të tjerët këtë. Kështu që unë shkruaja shumë pak. Ka qenë një periudhë 6-vjeçare, kur unë shkruajta shumë pak, për këtë arsye, edhe për të tjera”.

LEXIMI DHE PUNA NË SHTËPINË BOTUESE “NAIM FRASHËRI”

Për të, leximi është një mrekulli më vete. Kujton se kur punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” (17 vjet si gazetar letrar dhe redaktor), kishte fatin të gjendej mes një biblioteke shumë të pasur për kohën. “Ishte krijuar nga disa përkthyes frankofonë dhe aty gjeje çka dëshiroje. Libra që shtëpia botuese i blinte e shumica mbeteshin aty, pasi ishin për kohën të pabotueshëm. Mund të them se ajo ka qenë periudha më e lumtur e imja, kur lexoja pafund, se kisha akses dhe jo çdokujt i lejohej të merrte libra”. Tregon se ka lexuar shumë që prej fillimeve, pothuajse të gjitha librat që dilnin. “Pastaj numri i librave u rrit, por qenë librat që nuk do të më lejoheshin të lëxoja, që ndikuan edhe në formimin tim si shkrimtar”.

Mandej tregon se erdhi një kohë që lexonte më pak, pasi leximi, sipas tij, kërkon përkushtim. “Leximi do kohë, është punë intelektuale. Nuk janë elita ata që shkruajnë, elita e vërtetë janë njerëzit që lexojnë!”. Kështu, gjatë viteve pune si redaktor, por edhe si shkrimtar, pati një moment ku kënaqësia e të lexuarit ishte zbehur. “Fillova të lexoj ‘teknikisht’”. Ndërsa sot, në krahasim me të shkuarën, rrëfen se lexon pak. Kryesisht libra, që autorë të rinj i dhurojnë për t’i kërkuar një mendim.

“Mund të them se libri më i mirë që kam lexuar vitet e fundit ka qenë libri ‘Ridënimi’ i Fatos Lubonjës. Është një libër fantastik. E kam lexuar dhe rilexuar me kënaqësi të madhe. Sigurisht që ka edhe libra të tjerë. Por ky libër më ka bërë një përshtypje të jashtëzakonshme”.

A POSEDOHET LETËRSIA?

Fatos Kongoli e krahason letërsinë me femrën dhe për të, ta posedosh është e pamundur. “E kam thënë edhe te ‘Lëkura e qenit’, letërsia është si një femër, pas së cilës kam shkuar gjithë jetën, por pa e zotëruar dot. Them se nuk ka njeri që ta zotërojë gruan, me G të madhe. Po ashtu, nuk ka ndonjë shkrimtar që mund të thotë se ka zotëruar letërsinë. Për mua, ta pohosh diçka të tillë, është të gënjesh veten!”.
/Anila Dedja ; Panorama

Te fundit


Kthehu lart