Konflikti për transferimin e Griezmannit: Atletico e raporton Barcelonën në La Liga


Gazeta Express
19 Korrik 2019 15:41

Atletico Madridi e ka raportuar Barcelonën në La Liga, pasi që klubi madrilen beson se Barcelona ia ka borxh edhe 80 milionë euro të tjera për transferimin e Antoine Griezmannit në “Camp Nou”.

Fituesi i Kupës së Botës e kompletoi së fundi transferimin e tij të shumëpërfolur nga kryeqyteti spanjoll në Katalonjë, pasi Barcelona i pagoi 120 milionë eurot e nevojshme për t’ia shkëputur atij kontratën me Atletico Madridin, transmeton Gazeta Express.

Barcelona beson se nuk ka bërë asgjë të gabuar, mirëpo rivali i tyre pretendon se Griezmanni dhe klubi katalonas kishte arritur marrëveshje para 1 korrikut, kur klauzola e tij ishte ende 200 milionë euro e jo 120 milionë.

Sapo Barcelona e zyrtarizoi transferimin e Griezmannit, Atletico Madridi premtoi se do të fillonin procedura ligjore ndaj Barcelonës për këtë rast.

Presidenti i klubit, Enrique Cerezo, pretendon se ata kanë dëshmi për këtë gjë dhe është i bindur se Atletico Madridi do të përfundojë duke e marrë atë që po e kërkon: edhe 80 milionë euro të tjera.

Kjo luftë tani ka kaluar te zyrtarët e La Ligës dhe personave në fuqi në Federatën e Futbollit të Spanjës.

Atletico Madridi kishte planifikuar ta dërgonte fillimisht këtë rast në FIFA, me shpresën se organi qeverisës i futbollit botëror do të merrte vendim në favor të tyre.

Megjithatë, atyre u është bërë e qartë se FIFA nuk ka të drejtë vendimmarrjeje për një konflikt mes dy klubeve nga e njëjta Federatë.

Kjo ka bërë që Atletico Madridi ta dërgojë rastin në La Liga, mirëpo konflikti nuk pritet të zgjidhet së shpejti, pasi që përfaqësues nga Barcelona dhe Atletico Madridi janë pjesë e Komitetit gjashtëanëtarësh të La Ligës.

Për shkak të konfliktit të interesit, ka mundësi që të dy këta zyrtarë të largohen nga pozita e tyre për këtë rast. Seanca e parë do të mbahet të enjten, por çfarëdo që të ndodhë Griezmanni do të jetë pjesë e skuadrës së Barcelonës. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart