Konfirmohet: Gjermania dhe Franca në kontakt me Lajçakun për rifillimin e dialogut Kosovë - Serbi - Gazeta Express
string(94) "konfirmohet-gjermania-dhe-franca-ne-kontakt-me-lajcakun-per-rifillimin-e-dialogut-kosove-serbi"

Konfirmohet: Gjermania dhe Franca në kontakt me Lajçakun për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi

Gazeta Express

15/06/2020 7:06

Kohëve të fundit ka pasur një intensifikim së paku nominal të përpjekjeve për rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi

Angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes dy emisarëve të saj, Matthew Palmer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe Richard Grenell si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi ka bërë që edhe Bashkimi Evropian të zgjohet nga “gjumi diplomatik”.

Lexo Edhe:

Bashkimi Evropian pas këtyre lëvizjeve të SHBA-ve ka emëruar edhe vetë një të dërguar të posaçëm për dialogun, ish-ministrin e Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak.

Edhe Bashkimi Evropian si tërësi, por edhe shtetet veç e veç në përgjithësi janë angazhuar shumë më tepër në funksion të rifillimit të procesit i cili ka stopuar qysh në vendosjen e tarifës doganore prej 100 për qind për produktet serbe ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Franca dje ia ka konfirmuar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se vazhdon të jetë plotësisht e angazhuar në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe e përkrahin dialogun midis dy vendeve.

Lajmi.net është interesuar të ketë qëndrimin e Gjermanisë lidhur me dialogun Kosovë – Serbi, pasi Kosova ka eliminuar barrierat e pretenduara nga Beogradi si pengesë për rifillimin e dialogut.

Në përgjigjen e qeverisë gjermane thuhet se ky shtet e mbështet plotësisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Gjermania e përkrah plotësisht dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Bundestagut.

Të pyetur nëse kanë koordinim edhe me shtetet e tjera të fuqishme të Evropës si Franca dhe nëse e mbështesin Lajçakun si i Dërguar për dialogun, nga qeveria gjermane thonë se koordinohen vazhdimisht për këtë.

“Gjermania dhe Franca janë në kontakt të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe të Dërguarin Special të BE-së, Miroslav Lajçak për koordinim të ngushtë me politikat e tyre”, thuhet në përgjigjen e Gjermanisë.

Në anën tjetër, Kosova ka eliminuar të gjitha barrierat për dialogun Kosovë – Serbi të cilat janë përmendur nga pala serbe duke hequr masën e reciprocitetit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe liderët e tjerë serbë atje kanë thënë se do të ulen në tavolinë të dialogut, por vetëm me kushtin që nuk iu kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.

I dërguari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, pritet që të vizitojë Kosovën gjatë javës së ardhshme, por ende nuk dihet agjenda e tij dhe takimet të cilat do t’i zhvillojë.

E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në deklarimet e tij është shprehur se marrëveshja midis dy vendeve mund të arrihet edhe brenda 3 muajve të ardhshëm.