Komunat shqiptare në Maqedoni anulojnë kremtimet për festat e nëntorit


Gazeta Express
27 Nëntor 2019 14:30

Të gjitha komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë angazhuar me të gjitha mundësitë që kanë për t’u dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave nga Shqipëria, pas tërmetit katastrofal që goditi vendin, përcjell GazetaExpress.

Përveç angazhimeve direkte me ekipe të ndryshme që tashmë janë në zonat e dëmtuara nga tërmeti, komuat shqiptare në RMV kanë pezulluar aktivitetet që ishin paraparë për shënimin e festave të nëntorit, e në shenjë solidariteti i kanë ulur flamujt në gjyshëmshtizë.

Kështu Komuna e Tetovës ka vendosur të shpall dy ditë zie, si dhe të ndajë mjete për ndihmë humanitare me rastin e tërmetit katastrofik në Shqipëri. Vendimet u morën në seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës.

“Dita e mërkurë, 27 nëntor dhe dita e enjte, 28 nëntor janë shpallur ditë zie në Komunën e Tetovës në shenjë të solidaritetit me viktimat nga tërmeti në Shqipëri. Kemi vendosur edhe të ndahen një milion e 500 mijë denarë ndihmë humanitare. Mjetet do të dërgohen për qytetin e Durrësit dhe lagjen Thumanë për ballafaqim me pasojat nga tërmeti. Financat janë siguruar nga fondi rezervë i Komunës”, informojnë ngai Këshillit i Komunës së Tetovës.

Poashtu edhe komuna e Strugës ka shpallur ditë zie për nder të viktimave të tërmetit.

“ Në seancën e jashtëzakonshme u votua për shpallje ditë zie datat 27-të dhe 28-të dhe u vendos që të anulohen të gjitha organizimet festive me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit. Njëzëshëm u votua edhe për ndarjen e 1 000 000 denarëve nga Komuna e Strugës për të ndihmuar të prekurit dhe familjet e viktimave nga tërmeti në Shqipëri.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kjo komunë.

Edhe Komuna e Çairit ka shpallur tre ditë zie dhe ka ulur flamujt në gjysëmshtizë. “Në shenjë respekti dhe keqardhjeje ndaj fatkeqësisë që përjetoi Republika e Shqipërisë pas tërmetit të fuqishëm , Komuna e Çairit ka ulur në gjysëmshtizë flamujt para godinës së saj duke shpallur ditë zie datat 26, 27 dhe 28 Nëntor”, njoftojnë nfa komuna e Çairit.

Edhe Këshilli i Komunës së Kërçovës, mbrëmë në një seancë të jashtëzakonshme në propozim të kryetarit të Komunës Fatmir Dehari, mori vendim për ndarjen e 12.000 eurove në kundërvlerë të denarit ndihmë për të prekurit në tërmetin në Shqipëri.

“Këshilli i Komunës në koordinim me kryetarin Dehari mori vendim t’u jepet ndihmë në harmoni me mundësitë tona të prekurve në tërmetin në Republikën e Shqipëri me 12.000 euro në kundërvlerë të denarit”, tha kryetari i Këshillit Aqif Mehdiu, i cili në këtë rast u shfaqi falënderim të gjithë këshilltarëve të pranishëm në seancë të cilat unanimisht nga të gjitha grupet e këshilltarëve e votuan këtë vendim”, thonë nga Komuna e Kërçovës, shkruan mes tjerash Alsat-M.

Edhe nga Komuna e Gostivarit mbrëmë drejt zonave të goditura nga tërmeti kanë dërguar ndihma humanitare si dhe kanë dërguar edhe ekipe të zjarrfikësve dhe të mjekëve.

Shqipërinë dje e goditi një tërmet me intenzitet prej 6.4 ballësh sipas shkallës së Rihterit, ku deri më tani, zyrtarisht jetën e kanë humbur 26 persona dhe qindra të tjerë janë të hospitalizuar për shkak të lëndimeve që kanë marrë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart