Artisti nga Shqipëria, Ardian Isufi, dje hapi ekspozitën e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Mes artdashësve vetë autori i ekspozitës bashkë me kuratorët hapën ekspozitën me titull “Komploti i Tiranës”. Mes tjerash kuratorët e ekspozitës Gaetano Centrone, Vladimir Myrtezai- Grosha dhe Elton Koritari thanë se ndihen shumë mirë që janë pjesë e këtij bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë dhe se nuk ka mënyrë më të mirë se arti që ta bashkoj publikun.
Kartolinat, libri, televizioni, videoinstalacionet, gurët lëvizës në tokë, e fotografi të mbuluara me dhe ishin disa prej elementeve që u ekspozuan para publikut.
“Komploti i Tiranës” erdhi si rebelim i artistëve ndaj rrjetit të krijuar në artin e Tiranës, erdhi si thumbim ndaj “artistëve” që nuk e vlerësojnë publikun dhe i sjellin çkado.
“Komploti i Tiranës tregon se të bërit art sot është thellësisht dhe vendosmërisht i kushtëzuar nga tregu, në vetvete ky i fundit është monopolizuar nga tregtarët-koleksionistë të cilët ndikojnë direkt në të duke shkaktuar një rreth vicioz i cili vendos se kush mund të jetë artist dhe kush jo”,- Tatiana Bazzichelli- “Arti i Rrjetëzimit”.
Përmes kësaj ekspozite Ardian Isufi thumboi edhe një pjesë të artit shqiptar e cila me siguri që nuk është kaluar pa u vënë re, fjala është për Bienalen e parë shqiptare.
Katër kartolinat e ekspozuara nga Ardian Isufi të Komplotit të Tiranës janë ri-kontekstualizim i katër kartolinave reale të shpërndara në qindra kopje si ftesa për atë event të rëndësishëm të artit pamor shqiptar, i cili lindi si Bienalja e parë shqiptare dhe që gjerësisht sot në botën e artit njihet si një ndër mashtrimet më të mëdha dhe talljet më të fuqishme publike me sistemin e artit bashkëkohor.
Pos publikut nga Kosova, në Galerinë Kombëtare për ta parë ekspozitën ishte edhe një pjesë e konsiderueshme e publikut nga Shqipëria.
Kjo ekspozitë do të mbetet e hapur deri me 12 qershor.
/Gazeta Express