Kompania, fajtore për vdekjen e 21-vjeçarit nga Suhareka në vendin e punës


Gazeta Express
24 Mars 2019 22:20

Krenar Jemini, vdiq në mbrëmjen e 24 shkurtit, në vendin ku punonte për të siguruar jetesën. 21 vjeçari u aksidentua në shiritin transportues të koksit te kompania Lab-Oil në Graçanicë.

Ky vend pune, i cili ishte fatal për Jeminin, u inspektua nga Inspektorati i Punës.

E nga raporti final i tyre po del se shkaktar i aksidentit ishte punëdhënësi.

I painformuar për rrezikun e punës, 21 vjeçari kishte ndërhyrë në punën e shiritit transportues, veprim ky fatal për të.

Punëdhënësi ka parë edhe kontratën e punës së Jeminit, e cila rezultoi se kishte mangësi të shumta.

Përshkrimi i vendit të punës, i cili edhe ashtu nuk ishte i saktë, nuk ishte nënshkruar nga punëdhënësi e punonjësi, kësisoj nuk do të prodhonte efekt juridik.

Përveç se punëdhënësi nuk ishte i trajnuar për të punuar në atë vend, Jeminit nuk iu kishte bërë as kontrollimi mjekësor.

21 vjeçari ishte i pajisur me mjete mbrojtëse, në momentin kur ndodhi aksidenti.

E në vendin e punës, sipas raportit të Inspektorati, punëdhënësi nuk ka vendosë shenja adekuate, transparente për qasje dhe rrezikun në vendin e punës.

Të pyetur nga T7, nga Inspektorati i Punës, nuk treguan për dënimin që pason për kompaninë, si shkaktarë të aksidentit.

E nga Prokuroria thanë se janë duke vazhduar hetimet për rastin.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart