Komiteti Olimpik i dorëzohet Agim Ademit, ia pranon mandatin katërvjeçar - Gazeta Express
string(71) "komiteti-olimpik-i-dorezohet-agim-ademit-ia-pranon-mandatin-katervjecar"

Komiteti Olimpik i dorëzohet Agim Ademit, ia pranon mandatin katërvjeçar

Moral Pozhegu

05/12/2019 17:48

Komiteti Olimpik i Kosovës kohë më parë insistonte se Agim Ademi ka mandat të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës vetëm deri në vitin 2020, sa kanë edhe kryetarët e Federatave të tjera sportive. Mirëpo, njëjtë si Ministria e Sportit, edhe institucioni më i lartë sportiv në vend e ka ndryshuar qëndrimin e tij duke ia dhënë “aminin” kryetarit aktual që ta vazhdojë mandatin deri në vitin 2022

Pas Ministrisë së Sportit, e cila u tërhoq pasi fillimisht e konsideroi si të parregullt Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të vitit të kaluar në Federatën e Futbollit të Kosovës, është dorëzuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Në fakt, institucioni më i lartë sportiv në vend kohë më parë kishte kërkuar që, njëjtë si në Federatat tjera sportive, edhe në FFK të mbahen zgjedhjet vitin tjetër, në bazë të ciklit olimpik katërvjeçar.

Mirëpo, tash KOK-u e ka ndryshuar qëndrimin dhe ia jep “aminin” kryetarit aktual, Agim Ademi, që ta vazhdojë mandatin deri në vitin 2022.

Ademi e kishte pasuar nga vjet kryetarin e ndjerë, Fadil Vokrri, duke u zgjedhur kryetar për një mandat katërvjeçar.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani shprehet se, nëse UEFA e FIFA e njohin mandatin katërvjeçar të Ademit, të njëjtën gjë do ta bëjë edhe institucioni që ai e udhëheq.

Sipas tij, zgjedhje të obligueshme megjithatë do të ketë Bordi Ekzekutiv i FFK-së, duke u përputhur me rregulloret e KOK-ut.

“Bordi ekzekutiv i Federatës së Futbollit, i cili ka dalë nga Asambleja e vitit 2016, e ka mandatin katërvjeçar. Bordi i FFK-së është i detyruar ta mbajë Kuvendin Zgjedhor vitin tjetër. Ata (FFK) mund ta shtyjnë mandatin eventualisht për 7-8 muaj, deri pas Olimpiadës. Është mirë që të gjithë t’i respektojnë rregulloret”, ka thënë Hasani për “Gazeta Express”.

“Ndërsa tek presidenti, çështja është tjetër. Sipas Federatës së Futbollit, ajo Asamble e ka zgjedhur kryetarin për katër vjet. Nëse kjo është e vërtetë, pra nëse kështu e ka pranuar Asambleja, nëse kështu e kanë pranuar edhe UEFA e FIFA, ajo që mund të themi ne si Komitet Olimpik është se kjo vlen vetëm për presidentin dhe Asambleja e Federatës së Futbollit mund t’ia ruajë këtë mandat katërvjeçar atij, nënvizoi kreu i sportit kosovar.

Ndërkohë, ai është shprehur se Ademit megjithatë do t’i skadojë vitin tjetër mandati i tij si nënkryetar i KOK-ut, njëjtë siç do t’ju skadojë edhe anëtarëve të tjerë të këtij institucioni.

“Por, kur vjen puna tek Asambleja e Komitetit Olimpik, asnjë delegat që nuk ka mandat katërvjeçar, nuk mund të jetë delegat i Asamblesë së Komitetit Olimpik. Nëse Asambleja e FFK-së do t’i thoshte se ti zgjidhesh vetëm sa kemi edhe ne të tjerët mandat, atëherë normalisht që të gjithë, përfshirë këtu edhe zotëri Ademin, do të duhej t’i nënshtroheshin zgjedhjeve në vitin olimpik ose pasi të kryhet Olimpiada verore”, shpjegon Hasani.

Ai ka folur edhe për procesin e udhëheqjes së Ademit kryetar i FFK-së, në Kuvendin Zgjedhor të korrikut të vitit 2018, për të cilin thotë se ishte mjaft i rregullt.

“Ne nuk e kemi pasur asnjë vërejtje, e kemi përcjellë procesin e Kuvendit Zgjedhor të vitit të kaluar në FFK. Kemi shkuar ta monitorojmë dhe çdo gjë ka qenë e rregull, askush nuk është ngritur kundër. Askush nuk është ankuar në KOK, e kanë pranuar edhe institucionet tjera”, përfundoi Hasani.

Së fundmi, zëvendës-sekretari i deritashëm i FFK-së, Arianit Ahmeti e ka paralajmëruar kandidaturën për kryetar të Federatës së Futbollit, duke zbuluar për “Express” se i ka siguruar 41 nënshkrime nga delegatët, të cilët sipas tij kërkojnë zgjedhje të reja në fillim të vitit 2020 në shtëpinë e futbollit kosovar.

Nga ana tjetër, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së insiston se Ademi ka mandat deri në vitin 2022 dhe se e ka “aminin” e UEFA-s dhe FIFA-s për këtë, që nënkupton se vitin e ardhshëm nuk do të ketë zgjedhje për kryetar në FFK.

Ministria e Sportit ditë më parë e kishte konsideruar si të parregullt Kuvendin e korrikut të vitit 2018, që është mbajtur afro 17 muaj më parë, në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar si pasardhës i Fadil Vokrrit të ndjerë.

Megjithatë, kjo Ministri dje u tërhoq prapa kësaj deklarate përmes ministrit në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se dikasteri që ai e udhëheq nuk ka të drejt dhe nuk përzihet në punët e FFK-së. /Gazeta Express/