Komisioni vendos që Shyqiri Haxha të ftohet përsëri në raportim


Gazeta Express
17 Qershor 2019 11:33

Në Komisionin Hetimor Paralamentar që po heton keqpërdorimet në PTK dhe Vala është vendosur sot që të ftohet përsëri në raportim ish-kryeshefi  i PTK-së, Shyqiri Haxha.

Kjo pas përplasjes që pati ky i fundit me deputetën e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra të cilën e akuzoi se i kishte kërkuar që ta punësonte një familjar të saj në këtë kompani.

Deliu-Kodra tha se ajo u akuzua pa të drejtë dhe kërkoi nga komisioni që të kërkojë përgjegjësi nga dëshmitarët që nënshkruajnë deklaratën nën betim.

“Jam akuzuar pa të drejtë në dhënien e deklaratës nën betim. Unë kërkoj nga komisioni që të kërkojnë përgjegjësi për deklaratat që jepen nën betim”, tha Deliu.

Ndërsa, deputeti Milaim Zeka tha se Haxha i ka kërkuar falje Blerta Deliut nëpërmes tij, pasi që ai e kishte ngatërruar Deliu-Kodrën më dikë tjetër.

“Unë e kam taku Shyqri Haxhën ai nëpërmjet meje i ka kërkuar falje zonjës Deliu pasi që ai e ka ngatërrua Blertën me dikon tjetër”, tha Zeka.

“Duhet edhe njëherë që në plotni ta intervistojmë z.Haxha e sidomos pas deklaratave që i ka dhënë ai në kohën e fundit”, tha Visar Ymeri.

Pas këtij diskutimi para komisionit ka dalë, ish-kryeshefi i bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj.

Para deputetëve ai ka deklaruar se është në një proces gjyqësor për këtë cështje.

 “Më vjen mirë që mua më jepet mundësi të deklarohem rreth kësaj çështje. Por, nuk e di nëse bëj ndonjë shkelje në raportim derisa jam në proces gjyqësor. Unë kam disponim për t’u deklaruar, vetëm nuk dua të dëmtohem juridikisht. Dua të më siguroni se nuk do të kem pasoja”, ka thënë ai.

Deputeti Zemaj, në anën tjetër ka thënë se përderisa gjykimi është publik, nuk ka ndonjë problem dëshmia para komisionit.

Gjonbalaj ka thënë se kishte kryesuar bordin në mandat tre vjecar, derisa ishte zgjedhur edhe për një mandat tjetër.

 “Kam ushtruar dy mandate pasi ligji e lejon deri në tri mandate. Puna e bordit bazohet ne ligjin për ndërmarrje publike. Nga ky ligj buron statuti i ndërmarrjes publike. Bordi është organ kolektiv vendimmarrës, por jo organ ekzekutiv. Puna mes këtyre dyjave është e ndarë dhe nuk përzihet bordi në menaxhment. Kam dëgjuar këtu deklarime nga më te ndryshmet, por unë jam i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë. Pra, e kam të drejtën vetëm për një votë”, ka thënë Gjonbalaj, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve nëse ka pasur kompetenca të përziera mes bordit dhe menaxhmentit.

Ai ka thënë se kur e ka marrë detyrën, kontrata me Dardafon i është prezantuar nga bordi se është kontratë urgjente.

Te fundit


Kthehu lart