Komisioni i Vlerësimit në PD, kush jaë ish- deputetët e skualifikuar nga gara për kandidat - Gazeta Express
string(88) "komisioni-i-vleresimit-ne-pd-kush-jae-ish-deputetet-e-skualifikuar-nga-gara-per-kandidat"

Gazeta Express

23/10/2020 9:05

Komisioni i Vlerësimit në PD, kush jaë ish- deputetët e skualifikuar nga gara për kandidat

Gazeta Express

23/10/2020 9:05

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish përfundoi dje fazën e tretë të punës së tij dhe dërgoi listën përfundimtare në kryesinë e PD-së.

Nga 498 kandidatë që u konfirmuan nga anëtarësia e PD-së me votë, në fazën e tretë Komisioni i Vlerësimit skualifikoi 172 emra, duke i çuar kryesisë së PDsë 326 emra si më të mirët për të maksimalizuar fitoren në zgjedhjet e 2021.

Lexo Edhe:

Burime nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pohuan për gazetën “Panorama” se mes të skualifikuarve ka edhe ish-deputetë. Kriteri kryesor që u mor parasysh në fazën e tretë nga komisioni me 5 anëtarë ishte performanca politike e çdo kandidati dhe maksimalizimi i votës. Kryesia e PD-së zgjedh 140 kandidatë finalë, që do të konkurrojnë në zgjedhje. Të paktën 80% e kandidatëve në listën finale do të jenë nga lista me 326 emrat e votuar nga anëtarësia. Kryetari dhe kryesia kanë të drejtë të propozojnë deri në 20% të emrave të listës finale.

PROCESI

Më 25 qershor të këtij viti, Partia Demokratike prezantoi udhëzimin e procesit për përzgjedhjen e resurseve njerëzore si kapital për të qenë pjesë e listës për deputetë dhe kryetarë bashkish. Udhëzimi ishte i asistuar nga republikanët amerikanë dhe konservatorët britanikë dhe në Shqipëri ishte hera e parë që aplikohej një sistem ku anëtarësia propozon emrat që do të ketë në Parlament si përfaqësues.

Procesi u nda në tri faza. Faza e parë ishte mbledhja e emrave të propozuar nga anëtarësia e PD-së në të gjithë Shqipërinë. Në përfundim, të djathtët kishin propozuar 3600 emra si kandidatë të mundshëm për t’i përfaqësuar në Parlament. Por, nga këta 3600 emra, vetëm gjysma e tyre plotësuan formularin që pranuan të vijonin garën. Më pas, Komisioni i Vlerësimit bëri filtrimin e parë, nga ku nxori 1000 emra. Këtyre të fundit iu kërkua që të plotësonin një formular rreth 40 faqe, i ngjashëm me atë të vetingut. Kandidatët duhet të dëshmonin për gjendjen gjyqësore, të justifikonin pasurinë dhe shumë pyetje të tjera.

Nga verifikimi i formularëve të vetëdeklarimit, komisioni, i përbërë nga Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Genc Ruli, Enriketa Papa e Mark Marku, kualifikoi 515 emra nga 1000 që ishin. 515 kandidatët që kaluan “vetingun”, u dërguan për të marrë votëbesimin e anëtarësisë. Çdo degë e PD-së do të votojë për emrin që nuk do ta donte ta kishte përfaqësues në Parlament.

Nga i gjithë procesi u skualifikuan 17 kandidatë, mes tyre edhe ish-deputetët Astrit Veliaj, në Berat; Hekuran Hoxhalli në Devoll; Klevis Balliu në Pogradec si dhe ish-kryebashkiaku i Kukësit. Ndërkohë, kandidatët që nuk u skualifikuan, u dërguan në Komisionin e Vlerësimit për të bërë filtrimin final. Por votat kontestuese që mori gjithsecili prej kandidatëve janë marrë parasysh edhe në fazën e tretë të procesit, çka nënkupton se kandidatët që kanë qenë në kufijtë e skualifikimit nga anëtarësia mund të jenë skualifikuar nga komisioni me 5 anëtarë.

Papa: Ja kriteret e vlerësimit që u panë për të kaluar fazën e 3-të

Në përfundim të fazës finale të punës së Komisionit të Vlerësimit në Partinë Demokratike, anëtarja e këtij instrumenti, Enriketa Papa, dha detaje se si u zgjodhën emrat finalë që do t’i kalojnë kryesisë. “Metodologjia është e larmishme, por nga kriteret finale që konsideruam në hartimin e listës për t’ia përcjellë kryesisë, kriteri i parë ka qenë maksimalizimi i votës, puna në strukturat e partisë dhe njohja e terrenit dhe përshtatja me terrenin ku do të punojnë për të maksimalizuar votën për të qenë pjesë fituese në zgjedhjet e ardhshme”, tha Papa. Për anëtaren e komisionit, lista e kandidatëve për deputetë e demokratëve do të jetë përfaqësuese për shkak të emrave që janë kualifikuar.

“Njerëz intelektualë, që vijnë nga bota akademike, njerëz profesionistë, por edhe me një eksperiencë të gjatë në PD, por edhe të rinj, ka larmishmëri emrash dhe personalitetesh, mendoj se do të jetë një listë dinjitoze”, tha Papa. Lista me emrat e 326 kandidatëve do t’i kalojë kryesisë së Partisë Demokratike, e cila do të zgjedhë emrat finalë që do të kërkojnë votën e shqiptarëve në 25 prill. Të paktën 80% e kandidatëve në listën finale do të jenë nga lista me 326 emrat e votuar nga anëtarësia. Ndërsa kryetari dhe kryesia kanë të drejtë të propozojnë deri në 20% të emrave të listës finale.