Komisioni i Gjyqtarëve iu del në krahë referëve të futbollit - Gazeta Express
string(60) "komisioni-i-gjyqtareve-iu-del-ne-krahe-refereve-te-futbollit"

Futboll

Gazeta Express

15/12/2020 13:19

Komisioni i Gjyqtarëve iu del në krahë referëve të futbollit

Futboll

Gazeta Express

15/12/2020 13:19

Pas derbit në mes të Prishtinës dhe Ballkanit, ku gjyqtari Tefik Maloku u bë cak u sulmeve nga tabori therandas, sidomos nga trajneri Ismet Munishi, ka reaguar Komisioni i Gjyqtarëve, i cili i ka dalë në mbrojtje anëtarit të saj.

Lexo Edhe:

Gjithashtu, edhe trajneri i Feronikelit, Klodian Duro ishte i ashpër ndaj gjyqtarit pas humbjes së ekipit të tij.

Në fakt, ky Komision ka reaguar edhe me presionet, fyerjet, linçimet dhe ofendimet e bëra nga trajnerët dhe zyrtarët e klubeve në drejtim të gjyqtarëve edhe për ndeshjet tjera, të cilat kanë ndodhur gjatë këtij kampionati dhe kanë kulmuar në javën e fundit.

“Komisioni i Gjyqtarëve dënon ashpër veprimet e tilla, ku në mënyrë të shëmtuar dhe shpeshherë pa një analizë paraprake profesionale, menjëherë pas ndeshjes gjyqtarët janë atakuar në format më vulgare të mundshme. Situatat e tilla nuk i përkasin aspak futbollit dhe janë kundër frymës që promovon sporti, e që ka për qëllim të krijojë një ambient pozitiv për secilin pjesëmarrës në futboll dhe komunitetin jashtë tij”, nënvizon Komisioni i Gjyqtarëve.

“Është evidente se edhe gjyqtarët gabojnë, ashtu siç gabon çdo akterë në fushën e futbollit, jo vetëm tek ne, po kudo në botë. Asnjëherë nuk kemi pretenduar që saktësia e tyre është 100%. Mirëpo, ajo çfarë ne e themi me bindje të plotë është se gabimet e tyre janë njerëzore. Gjyqtarët në çdo ndeshje japin 100% e tyre dhe komisioni në baza ditore punon që të ngritët niveli i edukimit të tyre në fushën e referimit, duke ofruar ligjërata dhe trajnime nga instruktorët më kompetentë të FIFA-s dhe UEFA-s, në mënyrë që gabimet e tyre të reduktohen në nivelin më të vogël të mundshëm”, vazhdon shkrimi i këtij Komisioni.

Komisioni i Gjyqtarëve kërkon që gjyqtarët të lihen të qetë në punën e tyre, të cilën e bëjnë me shumë përkushtim dhe pasion.

“Ne besojmë në integritetin e secilit gjyqtar që e caktojmë në ndeshjet e futbollit dhe u japim mbështetjen e plotë për punën e tyre. Gjithsesi, inkurajojmë klubet që për çdo dyshim të faktuar që kanë lidhur me ndonjë veprim të parregullt nga ana e gjyqtarëve t’i denoncojnë ata menjëherë në organet e FFK-së dhe ato të drejtësisë. Institucioni ynë garanton se nëse dëshmohet ndonjë veprim i tillë, masat për akterët do të jenë radikale dhe të njëjtit do të përjashtohen përjetësisht nga futbolli.

Prandaj, edhe njëherë shpresojmë që aktet e tilla të shëmtuara të javëve të fundit të ndalohen, ngase përveç që e dëmtojnë reputacionin e shtetit tonë, futbollit, gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, ato dëmtojnë edhe imazhin e klubeve tuaja”, përfundoi Komisioni i Gjyqtarëve. /Gazeta Express/