Komandanti zbulon planin e fshehtë të ushtrisë ruse për të hyrë në Kosovë


Gazeta Express
15 Qershor 2019 18:24

 Në natën e 12 qershorit të vitit 1999, një batalion i parashutistëve rusë që ishin në Republikën Serbe të Bosnjës, nisen befasisht drejt Kosovës, duke e marrë kontrollin ndaj Aeroportit të Prishtinës në Sllatinë.

Për trupat e NATO-s që planifikonin ta përdornin Aeroportin e Prishtinës, hyrja fshehtas e forcave ruse ishte befasi e madhe.

SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia nuk kishin planifikuar ta lejojnë praninë ruse në Kosovë.

Një hyrje e tillë e rusëve në Kosovë gati sa nuk pati nxitur edhe konflikt të armatosur ndërmjet forcave britanike dhe ushtarëve rusë. Kjo ishte evituar në momentin e fundit, pasi që komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, Mike Jackson, ishte i gatshëm të jepte urdhër që rusët të sulmoheshin ushtarakisht.

Në një moment Jackson kishte thënë se sulmi ndaj forcave ruse do të thoshte nisje Luftës së Tretë Botërore.

Komandanti i forcave ruse që patën hyrë në Kosovë, Georgij Shpak, ka folur për mediat ruse se si ka shkuar plani për ta pushtuar Aeroportin e Prishtinës.

“Në fillim të majit të vitit 1999, shefi i Shtabilit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, gjenerali Anatolij Kvashnin me ftoi në zyre dhe tha: “Urgjent!”. Në zyrën e tij, ai me urdhëroi që menjëherë të udhëtoj në qytetin e Bosnjës Ugljevik, ku ishte shtabi i brigadës së forcave ajrore dhe të përgatis gjithçka për marrjen e aeroportit strategjik në Kosovë, që është pista e vetme atje e gjatë 2500 metra, e cila mund të pranojë çfarëdo aeroplani, përfshirë edhe bombarduesit dhe transporterët tjerë të rëndë ushtarak. Kush e kontrollon Sllatinën, e kontrollon tërë Kosovën. Kvashnin ka thënë se koha e marrjes së aeroportit nuk është e definuar, kështu që luftetarët e mij do të veprojnë sipas komandës së tij”, ka thënë ai.

Ai shton: “Përgatitjet për kryerjen e detyrave janë bërë në fshetësi të plotë”.

Siç thekson Shpak, Kvashnin nuk ishte iniciator i vetë aksionit.

“Komandanti suprem e dinte për këtë, dhe atëherë president ka qenë Boris Jelcin. Pastaj, “miqtë e mundshëm” në Perëndim po na shtynin në të gjitha drejtimet dhe ata praktikisht pushuan të mbështeteshin në Rusinë në çështjet ndërkombëtare. Në këtë kuptim, në të gjitha mënyrat e mundshme, ne ishim larguar nga vendi i nxehtë i botës në atë kohë – ish-Jugosllavia. Amerikanët, britanikët, francezët, gjermanët dhe italianët vendosën të përjashtojnë pjesëmarrjen e Rusisë në një operacion paqeruajtës në Kosovë. Sigurisht nën përcjelljen e presidentit Jelcin kishte njerëz që e këshillonin që të godiste dhe t’iu rikujtonte që ruset edhe më tej kanë barut në tytat e tyre”, ka thënë më pas Shpak.

Ai ka sqaruar se si janë përgatitur për hyrje në Kosovë.

“Parashutistët rusë nuk duhet të jetë të përgatitur për luftë – ata gjithmonë janë të përgatitur për atë. Të gjithë ishin të përgatitur, vetëm duhej ndarja e detyrave dhe zbatimi logjistik i aksionit. Me të arritur në Ugljevik, kam filluar aktivisht që të bashkëpunoj me kolonelin Nikolaj Ignjatov, komandantin e brigadës. Kemi folur për të gjitha mundësitë e kryerjes së detyrave”.

Ai ka shtuar se nuk janë trembur nga përgjimet.

“Nuk jemi frikësuar, e dinim që të gjitha biseda inçizohen. Në ndërtesën e ndarë në terrotorin e logorit të brigadës sonë ka qenë një pjesë e ushtrisë amerikane. Funksioni i tyre zyrtar ka qenë komunikimi dhe koordinimi me komandën ruse, por realisht, ajo ishte spiunim”, ka thënë ish komandanti i forcave ruse që kishin hyrë në Kosovë.

Ai më pas ka sqaruar edhe pse i kishin njoftuar serbët për aksion.

“Njësitë e parashutistëve është dashur që shumicën e rrugës për në Kosovë ta kalonin me marsh, kështu që ka qenë e pamundur që të veprohet pa koordinim. Duhet thënë se vëllezërit tonë serbë e kanë organizuar korridorin e gjelbër në territorin e tyre për kolonën tonë. Gjithashtu, veturat e tyre të policisë ushtarake e kanë pastruar rrugën në mënyrë që automjetet tona të rënda të kalonin pa probleme”.

Sipas tij, nuk ka pasur plan B nëse fillon përplasja e armatosur me trupat e NATO-s.

“Plani B nuk ka ekzistuar. Parashutistët tanë kanë shkuar në Prishtinë që të fitojnë ose të vdesin. Por komandata ushtarake ruse dhe unë, kemi pasur besim të fuqishëm – që amerikanët britanikët, francezët, gjermanët mund të jenë ushtarë të mirë, por ata nuk e kanë kualitetin luftarak si ne. Plus, operacioni paqësor ka qenë ndërkombëtar, kështu që gjeneralët e NATO-s do ta humbisnin shumë kohë për koordinimin e aksionit”, ka thënë ai.

Trupat ruse më pas hynë nën komandën e KFOR-it dhe qëndruan në Kosovë deri në vitin 2003./Ballkani./

Te fundit


Kthehu lart