Komandantët e UÇK-së sot japin llogari para gjykatës për “veteranët e rrejshëm”


Gazeta Express
14 Mars 2019 9:37

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet sot seanca për listat e “veteranëve të rrejshëm” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Express

Në Gjykatën e Prishtinës pritet që të mbahet seanca fillestare në lidhje me aktakuzën për fryerjen e listave të veteranëve të UÇK-së.

Të akuzuar në këtë aktakukzë janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe të tjerë.

Në seancën e sotme është paraparë që të vendoset lidhur me masën e përkohshme të ndalimit të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. Atëherë prokuroria kishte kërkuar që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’u ndalohet marrja e pensionit si veteranë luftëtarë të UÇK-së.

Bëhet e ditur se nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Rasti Blakaj kishte tronditur opinionin pasi ish-prokurori i Prokurorisë Speciale ishte larguar në SHBA, duke thënë se ka marrë kërcënime. Pas largimit ai ishte sulmuar edhe nga kryeministri Haradinaj i cili e kishte quajtur hajn.

“Të gjithë këta, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e nënshkruar nga prokurori i rastit.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata ta lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme, si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

“Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.

Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që Gjykata të marrë vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’u ndalohet marrja e pensionit si veteranë luftëtarë të UÇK-së”, thuhej në njoftimin dërguar mediave.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart