Kod i ri zgjedhor me votat e opozitës së re? Bylykbashi: Rama do të hedhë në erë zgjedhjet


Gazeta Express
27 Mars 2019 17:32

Një miratim i kodit të ri zgjedhor falë votave të maxhorancës dhe opozitës së re do të shënonte një precedent që për pasojë do të sillte hedhjen në erë të besueshmërisë së zgjedhjeve në Shqipëri.

Ky është pozicioni i ish deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, i cili është shprehur se deklaratat e Ramës janë plotësisht qesharake.

Bylykbashi: Thirrja e zotit Rama është sa qesharake aq edhe shqetësuese për të kuptuar se ku po degradon koncepti i zotit Rama për qeverisjen. Është e gjithëpranuar se kodi zgjedhor nuk mund të ndryshohet përtej një afati të caktuar përpara datës së zgjedhjeve dhe ky afat ka kaluar prej kohësh. Ndryshimet në këtë fazë do të çonin në një kaos procesin zgjedhor dhe më pas çdo paudhësi nga ato që planifikon Rama si shitblerja e votës, kontrolli i votës nëpërmjet administratës publike, presionit etj do të fshihej pas disa parregullësive të një natyre teknike sepse ligji ndryshoi shumë vonë. Në çdo rast do të ishte një ndryshim i papranueshëm politikisht, do të hidhte në erë çdo lloj besimi në procesin zgjedhor ndryshimi i kodit në mënyrë të njëanshme.

Situata politike në Shqipëri vijon të jetë e ngurtë pasi palët nuk kanë lëvizur thuajse asnjë centimetër nga qëndrimet e tyre. Maxhoranca tregon me bindje se do të hyjë në zgjedhje, ndërsa opozita nuk ka lëshuar nga ideja se s’mund të ketë zgjedhje me një njeri që i blen ato në masë. PD përmes disa eksponentëve të lartë ka lëshuar sinjale se nuk do të hyjë në zgjedhjet vendore të qershorit, nëse më parë nuk do të ketë një largim të kryeministrit, çka do të hapte rrugën për zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore./Express

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart