Koalicionet e panikut


Gazeta Express
16 Gusht 2019 12:10

Koalicionet ndërmjet partive politike nuk janë koalicone të shpresës, as programore, as ideologjike. Janë koalicione të frikës, të panikut, të mbijetesës. Për këtë shkak, janë në gjendje të bëjnë kalicion edhe me dreqin. Po të ishte ndryshe, secila parti do të garonte veç e veç. Për të parë realisht kush sa vlen

Imer Mushkolaj

Kush mund të garantojë se Partia Demokratike e Kosovës, pesë minuta para se të dorëzohen listat për zgjedhjet e ardhshme, nuk do të shpall edhe ndonjë koalicion të ngjashëm me PAN’in, pavarësisht se deri atëherë mund të përsërisë se në zgjedhje do të garojë e vetme?

Kështu ka ndodhur para zgjedhjeve të kaluara dhe kështu mund të ndodh sërish. Për këtë shkak, shumë më syçela po kallxohen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat po diskutojnë për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet vete. Të paktën të jenë gati që me kohë t’i përgjigjen ndonjë koalicioni të papritur.

Pikërisht frika nga ndonjë e papritur, çfarë di të servojë vetëm PDK, kryesisht natën, i ka afruar këto parti që s’kanë lënë gjë të keqe pa deklaruar për njëra-tjetrën.

LDK ka frikë se nuk do të dalë partia e parë, pavarësisht rezultateve të sondazheve. E Vetëvendosje e di se këto zgjedhje janë “treni i fundit” i saj për të ardhur në pushtet. Shpreson bashkë me LDK’në.

PDK do të bëjë gjithçka, ama gjithçka që të dalë e para. Nëse dështon, atëherë do të bëjë gjithçka, ama gjithçka që të mbetet diqysh në pushtet. Rënia nga pushteti e trishton këtë parti, e cila tash 12 vjet ka qeverisur vendin. PDK është në panik, andaj edhe zyrtarët e saj reagojnë pa takt edhe ndaj takimeve që po zhvillohen ndëmjet liderëe të LDK’së e VV’së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po trumbeton se në sondazhe po del partia e parë. Por, kur vjen puna te zgjdhjet, simpatia për Ramush Haradinajn nuk përkthehet në vota për partinë. Andaj e ka të rëndësishme, fort të rëndësishme, që të bëhet bashkë me të tjera parti para zgjedhjeve.

Fort të rëndësishme një gjë të tillë e kanë edhe PSD e Nisma. Ashtu si dhe AKR, e cila megjithatë për koalicione orientohet sipas këshillave që mund t’i marrë nga dikush. Nga dikush që shefi i partisë e dëgjon, siç e ka dëgjuar edhe në të kaluarën.

* * *

Koalicionet eventuale parazgjedhore të partive politike nuk mund të jenë as koalicione programore, as ideologjike. Janë koalicione të frikës, të panikut. Ashtu siç kanë qenë edhe në të kaluarën. Arsyeja e vetme është ardhja me çdo kusht, ose mbetja me çdo kusht në pushtet. Për këtë shkak, janë në gjendje të bëjnë koalicion edhe me dreqin.

Pavarësisht se të gjitha partitë politike përpiqen të krijojnë përshtypjen se janë komode dhe të gatshme për zgjedhje, nuk është kështu.

PDK e ka më së vështiri. Mbetja në opozitë don të thotë vdekje politike për të. LDK vazhdon të ketë mospajtime se kujt t’ia jep mandatin për pozitën e kryeministrit, gjë që nuk është e lehtë. LDK ka nisur projektimin e pushtetit të ardhshëm bazuar në sondazhe. Por, filozofia për t’i fituar zgjedhjet “me duar në xhepa” mund ta ndëshkojë. Këtë e di mirë Isa Mustafa.

Vetëvendosja, pas ndarjes së PSD’së, nuk është më ajo e vjetra. Ardhjen në pushtet e ka jetike, përtej parimeve gjatë e fort të proklamuara. AAK synon t’i fitojë zgjedhjet me ushtrinë e taksën, duke provuar të neutralizojë keqqeverisjen. Mund të mbështetet edhe te militantët partiakë e familjarët e punësuar nëpër institucione e kompani publike, ashtu si dhe Nisma. Por, kaq nuk mjafton. Siç nuk i mjafton as PSD’së mbështetja aktuale për ta kaluar pragun zgjedhor dhe domosdo duhet të bëhet bashkë me dikë.

* * *

Ta fyejnë inteligjencën teksa dëgjon zyrtarë të një partie që ka qenë në pushtet rreth 13 vjet të thonë se do të bëjnë qeveri të shpresës. Të shkërdhejnë inteligjencën zyrtarët e partisë tjetër që thonë se e kanë ndërmend seriozisht ta luftojnë korrupsionin e familjarizmin, ndërkohë që i kanë kultivuar për një dekadë e gjysme këto fenomene.

Të duket se po jeton në Zvicër, e jo në Kosovë teksa dëgjon një parti të tretë duke folur për mrekullitë që i paska sjellë gjatë qeverisjes. Siç mund të habitesh me veten, nëse ke jetuar ose jo në këtë vend, me këta njerëz të një partie të katërt që flasin për parime, kur ato i kanë fshirë një nga një për hir të pushtetit.

Do të doja shumë që partitë të garonin të vetme në zgjedhje, në mënyrë që të dihet fuqia e secilës. Vetëm atëherë do të mund të flisnim për garë fer e korrekte. Do të doja që të vetme të garonin sidomos PSD e VV. Të paktën për të shuar kuriozitetin se kush sa ka fituar gjatë zgjedhjeve të kaluara, për të parë realisht kush sa vlen.

Te fundit


Kthehu lart