KMDLNJ: Jusuf Buxhovi do të dëshmonte shkëlqyeshëm kundër UÇK-së


Gazeta Express
12 Korrik 2019 13:55

Këshilli për Mbrotjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar përmes një komunikate për media rreth deklaratave të historianit dhe njërit nga themeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi.

Në këtë reagim KMDLNJ-ja ka thënë se Buxhovi do të ishte një dëshmitar i shkëlqyeshëm për Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Realisht, z. Buxhovi del të jetë i informuar përtej dyshimeve se kush qëndron prapa vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së sepse e ndërlidh me “luftën e papastër të UÇK-së” e që mund të jetë një mundësi e shkëlqyeshme për Prokurorinë Speciale të Kosovës e cila duhet ta intervistojë z. Buxhovi në mënyrë që, më në fund të fillojë të zgjidhet lëmshi i vrasjeve të pasqaruara të aktivistëve politikë të LDK-së sikur që familjarët e të vrarëve të lirohen nga ankthi i pritjes për ndriçimin e këtyre rasteve”.

KMDLNJ-ja ka thënë se nëse Buxhovi nuk ofron fakte që e argumenton luftën e papastër të UÇK-së për vrasjen e 102 aktivistëve të LDK-së, atëherë duhet të thirret në përgjegjësi ligjore për shtrembërim dhe paraqitje të pavërtetë të fakteve.

KMDLNJ-ja ka kërkuar që të ndalet linçimi publik ndaj Jusuf Buxhovit.

“Fjala publike bartë përgjegjësi publike por edhe përgjegjësi ligjore, nëse del të mos jetë e vërtetë. Në këtë kontekst, KMDLNj kërkon të ndalet sulmi dhe linçimi publik ndaj z. Buxhovi, deri në përfundim të rastit i cili duhet të hetohet . Linçimi publik paraqet kërcënim për sigurinë dhe jetën e z. Buxhovi prandaj duhet të ndërpritet sikur që ndaj kërcënuesve duhet të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi”.

Ndaj deklaratave të mbrëmshme të Buxhovit kanë reaguar përfaqësues të UÇK-së.

Nënkryetari i PDK-së, Gani Koci, përmes Facebook-ut ka thënë se UÇK duhej ti pastronte mbeturinat si soji i Buxhovit.

““Para së të gjykonte për pastërtinë e luftës së UÇK-së, Jusuf Buxhovi duhet të përgjigjet për vrasjën e Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës, dhe arrestimin e grupit të Hysen Gegës me dëshmitë e të cilit ky grup ishte dënuar me dhjetra vjet! Vërtetë lufta e UÇK-së, është dashur të spastroj të gjitha mbeturinat e sojit të buxhovëve!”, ka shkruar Koci.

Kurse, ish-ambasadori i Kosovës, Sabri Kiçmari, ka reaguar ndaj deklaratave të historianit Jusuf Buxhovi se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.

Ai po thotë se propagandë të tillë kishte përjetuar gjatë luftës, derisa edhe në atë kohë shton se kishte pasur njerëz që mundoheshin të dezinformonin sa i përket luftës së UÇK-së.

“E kam përjetuar një propagandë të tillë edhe gjatë luftës. Në takimet e shumta diplomatike si përfaqësues diplomatik i UÇK, me mund dhe durim të madh, më duhej t’ua shpjegojë diplomatëve dhe gazetarëve të shumtë karakterin e pastër të luftës sonë. Edhe në atë kohë kishte njerëz, që mundoheshin të dezinformojnë publikun se lufta jonë për liri ka karakter terrorist, fundamentalist ose ideologjik. Koha e vërtetoi se nuk kanë pasur të drejtë! Diplomatët ndërkombëtar e kuptuan dhe na mbështetën, pikërisht për shkak të karakterit të pastër të luftës sonë”, tha Kiçmari. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart