KMDLNJ-ja ironizon ndaj Rrahman Jasharajt të SBASHK-ut, e quan “king”


Gazeta Express
16 Maj 2019 14:22

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar përmes një komunikate për medie në lidhje me grevën 3-javëshe të mësimdhënësve të udhëhequr nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK)

KMDLNJ-ja thotë se greva e SBAShK-ut ka qenë shantazhuese, duke kushtëzuar MAShT-in të pranojë çdo kërkesë të kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

“SBASHK-u, në me krye Rrahman Jasharaj pati organizuar një grevë duke i lënë për më shumë se 15 ditë pune nxënësit e të gjitha niveleve hiç këtu nivelin e lartë të arsimit, jo në kërkesë të kushteve më të mira të punës për mësuesit, arsimtarët dhe profesorët apo të nxënësve, jashtë procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Kjo grevë, fund e krye ka qenë një grevë shantazhuese, duke kushtëzuar MAShT-in të pranojë çdo kërkesë të Rrahman Jasharaj dhe duke degraduar skajshmërisht autoritetin e drejtorëve dhe drejtorive komunale të arsimit. DKA-të ishin të detyruara, sipas ligjit të zbatojnë vendimin e MAShT-it për kompensimin e orëve të humbura në ndërkohë që “arusha” e SBAShK-ut, me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara ka vepruar që ky vendim të mos zbatohet. SBAShK-u dhe Rrahman Jasharaj ka manipuluar në mënyrën më të paskrupullt të mundshme me punëtorët e arsimit duke luajtuar me rritje të pagave sikur që në mënyrë flagrante i ka shkelur të drejtat e nxënësve dhe të drejtat e prindërve të përfaqësuar përmes Këshilli Prindëror si dhe atyre mësimdhënësve që kanë shprehur gatishmëri të zbatojnë vendimet e MAShT-it , përmes DKA-ve”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ-ja e ka quajtur kryetarin e SBASHK-ut “king”, duke thënë se është e palejueshme që Jasharaj dhe SBASHK-u t’i shkelin të drejtat e të tjerëve në emër të realizimit të të drejtave të veta.

“KMDLNJ e përkrah çdo grevë, si një vlerë të një demokracie por se nuk e ka përkrahur një grevë tipike shantazhuese siç ka qenë ajo e SBAShK-u. Shantazhimi që i bënë SBAShK –u MAShT-it dhe sfidimi që gjithashtu ua bënë institucioneve të Kosovës , pa shfaqur asnjë gatishmëri për kompromis është i dënueshëm dhe nuk duhet të lejohet . Pasi Qeveria e Kosovës iu nënshtrua një shantazhimi të lakuriquar të SBAShK-ut duke ua rritur pagat siç ishin marrë vesh , SBAShK-u doli me kërkesa tjera që t’u rritet rroga edhe mësuesve të cilkit të ulët. Edhe për këtë u arritë pajtimi dhe SBAShK-u e vazhdoi shantazhimin me rritje të rrogave të psikologëve , sekretarëve dhe personelit tjetër”, thuhet në reagim.

Tutje KMDLNJ-ja thotë se nuk është për t’u habitur se edhe nëse arrihet marrëveshja për rritje të pagave, SBASHK-u dhe Jasharaj do të kërkojnë të rriten pagat edhe fallxhorëve në Tanzani.

“Me këtë greva e SBAShK-ut do të internacionalizohej përmes përfshirjes së Tanzanisë. Në takim të përbashkët midis MASHT-it, DKA-ve dhe KMDLNj-së, në përpjekje për të gjetur një kompromis, përkundër qëndrimit shumë bashkëpunues dhe mirëkuptues të MASHT-it, SBASHK-u e lëshoi takimin në mënyrë demonstrative në çastin kur u përmend rroga e Shkëlqesisë së Tij, z. Rrahman Jasharaj e cila aspak nuk ishte e karakterit social por se ishte bukur progresive, si shifër. Në atë takim, të gjitha palët u pajtuan të presin vendimin e Gjykatës pasi që SBASHK-u kishte kundërshtuar ligjërisht vendimin e MASHT-it për kompensim të orëve të humbura, si pasojë e një greve shantazhuese”, theksohet ndër të tjera në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ-ja propozon që të pritet vendimi i plotfuqishëm i gjykatës dhe nëse del se SBASHK-u dhe Rrahman Jasharaj kanë përgjegjësi për situatën e krijuar atëherë duhet të kallëzohen penalisht për shantazhim, si mjet për arritjen e qëllimeve të pasurimit duke dëmtuar procesin mësimor, si dhe duke e dëmtuar Buxhetin e Kosovës. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart