Klubi serb Toplica u përpoq të futej në Kosovë disa herë brenda javës, por u ndalua


Gazeta Express
9 Tetor 2019 22:27

Klubi serb i hendbollit Toplica u ndalua dy herë brenda javës në kufi dhe iu mohua hyrja në Kosovë nga Policia vendase, sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit e Kosovës (FHK), Izet Gjinovci.

Gjinovci ka thënë për Gazetën Express se Federata se Federata e Hendbollit e Kosovës tani është organi i vetëm që vendos për organizimin e garave në këtë sport brenda territorit të Kosovës, në bazë të nenit 23 të Federatës Evropaine të Henbollit.

Klubi serb Topliça nga Prokuplja kishte tentuar të futej në Kosovë përmes pikës kufitare në Bernjak pasditen e sotme, por ishte ndaluar nga Policia e Kosovës. Topliçani po planifikonte të hynte në territorin e Kosovës për ta zhvilluar një ndeshje të ligës së parë të Serbisë me Mokra Gorën nga Zubin Potoku.

Kjo, sipas Gjinovcit, kjo nuk është hera e parë që ky klub përpiqet të futet në Kosovës brenda kësaj jave.

“Kjo ka ndodh edhe para një jave, më 4 tetor. I njëjti klub ka dashur të hyjë në Kosovë. Mirëpo Policia kufitare (e Kosovës) sot na ka lajmëruar dhe natyrisht ne u kemi treguar se në bazë të nenit 23 të statutit të Federatës Evropiane të Hendbollit i vetmi organ që mund të organizojë gara në territorin e Kosovës është Federata e Hendbollit e Kosovës. Prandaj ne ia kemi ndaluar që të zhvillojë ndeshje”, tha Gjinovci për Gazetën Express.

Ai ka theksuar se nga ky vit, FHK-ja e ka lejen e EHF-së për të vendosur se kush organizon dhe kush zhvillon gara dhe ndeshjen hendbolli në Kosovë.

“Para një viti kemi folur me Federatën Evropiane të Hendbollit, i cili na ka kërkuar që klubi serb Obilic të marrë pjesë në gara deri në fund të muajit maj, ndërsa nga ky vit nuk kanë të drejtë të zhvillojnë gara në Kosovë”, shtoi ai.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës e ndaloi edhe klubin e famshëm serb të futbollit, Crvena Zvezdën, në pikën kufitare të Jarinjës – përmes të cilës u përpoq të futej në territorin e Republikës së Kosovës për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë ndaj klubit serb në Kosovë, Trepçës, dhe e ktheu mbrapsht në Serbi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart