Ylli brazilian i Real Madridit, Rodrygo, vazhdon të lidhet me disa klube të Premier League, teksa e ardhmja e tij mbetet e pasigurt.
Rodrygo mund të largohet nga Madridi këtë verë pas ardhjes së Xabi Alonsos dhe një rënieje në minutat e luajtura sezonin e kaluar. Edhe pse preferenca e tij thuhet se është të qëndrojë në “Santiago Bernabéu”, ai e kupton se një shitje mund të jetë në interesin e tij dhe është i hapur për një transferim në Premier League.
Kjo ka alarmuar disa klube angleze, me Liverpool, Arsenal dhe Manchester City që janë përmendur si destinacione të mundshme për 24-vjeçarin. Thuhet se Rodrygo mund të jetë i disponueshëm për rreth 78 milionë paund, duke qenë se ka edhe tre vite kontratë me Realin dhe 350 paraqitje në nivel të lartë.
Nga klubet e përmendura, Arsenal ishte përfolur si opsioni më i afërt për brazilianin. Megjithatë, sipas “Cadena SER”, “Topçinjtë” kanë vendosur të mos ndjekin më interesin për sulmuesin.
Skuadra e Mikel Artetës ka përfunduar një marrëveshje prej afro 50 milionë paund për anësorin e Chelseat, Noni Madueke, dhe po ndjek një marrëveshje të kushtueshme për sulmuesin e Sportingut, Viktor Gyokeres.
Gjithashtu, kanë firmosur me Martin Zubimendi nga Real Sociedad dhe Christian Norgaard nga Brentford, ndërsa thuhet se në listë është edhe një mbrojtës, duke lënë pak hapësirë për dikë si Rodrygo.
Kjo mund ta vendosë Liverpool-in në pozicion të favorshëm, pasi Manchester City tashmë ka përfunduar pjesën më të madhe të punës në merkato përpara Kupës së Botës për Klube.
Liverpool ka shpenzuar shumë për Florian Wirtz dhe është duke ndjekur edhe Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt, por interesi i Bayern Munich për Luis Diaz mund të çlirojë fonde për një blerje tjetër – megjithëse “The Reds” këmbëngulin se kolumbiani nuk është në shitje.
Gjithsesi, Bayern raportohet se gjithashtu e ka vënë Rodrygon në shënjestër, në rast se Liverpool mbetet i vendosur për të mos e shitur Diaz-in.