Kloppi i paralajmëron lojtarët e tij për konsumimin e drogës dhe alkoolit


Gazeta Express
17 Shtator 2019 15:02

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka paralajmëruar futbollistët e tij se nuk duhet të çmenden – duke konsumuar drogë, alkool dhe duke i tradhtuar bashkëshortet e tyre – pas triumfit të sezonit të kaluar në Ligën e Kampionëve.

Pasi Real Madridi, nën drejtimin e Zinedine Zidane, e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve tri herë radhazi, Liverpooli me Jurgen Kloppin e ndalën këtë ecuri, duke u shpallur kampion të Evropës sezonin e kaluar, transmeton Gazeta Express.

Përkundër që është shumë i kënaqur me këtë arritje të tij dhe të skuadrës së tij, Kloppi dëshiron që lojtarët e tij të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të mos çmenden pas kësaj arritjeje.

“Ju s’mund ta imagjinoni sa normale është të vazhdosh pas festimeve. Të gjitha gjërat private. Është shumë e lehtë të vazhdosh si normalisht, nëse e ke karakterin e duhur”, ka thënë Klopp në konferencën për shtyp.

“Nëse ti çmendesh dhe konsumon drogë dhe alkool dhe vozit vetura të ndryshme ose e lë zonjën vetëm në shtëpi sepse je fitues i Ligës së Kampionëve, atëherë unë s’mund të të ndihmoj. Por, ne nuk jemi ashtu”.

“Ne duam të krijojmë më shumë histori për t’i kujtuar në të ardhmen dhe jo vetëm këtë.  Kështu që nuk mund të mjaftohemi me kaq, natyrisht që është e vështirë”.

“Nuk jam i sigurt se si është përgjigjur Zinedine Zidane para tre vjetësh, kur e fitoi titullin prapë dhe prapë dhe prapë. Me siguri ka thënë se vetëm do të tentojnë ta bëjnë sërish”.

“Ne nuk e kemi asnjë ide nëse do ta kemi mundësinë ta arrijmë këtë përsëri. Vitin e kaluar, ne e patëm një grup shumë të vështirë dhe i humbëm të gjitha ndeshjet jashtë shtëpisë. Do të tentojmë ta ndryshojmë këtë gjë këtë sezon dhe pastaj do ta shohim se çfarë do të vlejë”.

“Por, unë nuk e kam asnjë ide se si mund të mësohemi me faktin se e kemi fituar titullin e Ligës së Kampionëve me djemtë, kështu që thjesht nuk mendoj për këtë gjë”.

Liverpooli do ta nisë tentimin për ta mbrojtur titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon me ndeshjen e sotshme kundër Napolit si mysafir. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart