Kloppi, i bindur se Shaqiri do të luajë rol më të madh gjatë sezonit të ri


Gazeta Express
7 Gusht 2019 15:44

Roli i Xherdan Shaqirit në Liverpool pritet të jetë më i rëndësishëm gjatë sezonit 2019/20, pasi që trajneri Jurgen Klopp është i bindur se anësori mund ta kompensojë mungesën e transferimeve gjatë këtij afati kalimtar.

“The Reds” kanë qenë mjaft të heshtur gjatë këtij afati kalimtar të verës, duke i transferuar vetëm të rinjtë – Sepp van den Berg dhe Harvey Elliot – dhe një portier rezervë, Adrian, transmeton Gazeta Express.

Simon Mignolet, Alberto Moreno dhe Daniel Sturridge janë në mesin e lojtarëve që u larguan këtë verë, mirëpo Kloppi do ta nisë sezonin e ri me të njëjtën skuadër që e përfundoi të kaluarin.

Shaqiri iu bashkua Liverpooli nga Stoke City për 13.75 milionë funte vitin e kaluar, dhe i shënoi gjashtë gola e i bëri pesë asiste në 30 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat.

Megjithatë, minutat e tij në fushën e lojës u ulën në mënyrë drastike gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar, duke luajtur vetëm 81 minuta në Premierligë gjatë pesë paraqitjeve mes fillimit të shkurtit dhe fundit të majit.

Më herët kishte spekulime për një largim të mundshëm gjatë kësaj verë, përderisa një lëndim ia pamundësoi të luajë gjatë turneun parasezonal, por sipas gazetarit të The Athletic, James Pearce, Kloppi është i bindur se mund të nxjerr më shumë nga Shaqiri gjatë sezonit të ri.

Pearce sqaron se mungesa e Shaqirit gjatë pjesës së dytë të sezonit 2018/29 erdhi “si shkak i taktikave dhe sistemit të preferuar të trajnerit e jo për shkak të sjelljes së lojtarit apo marrëdhënies së tij me trajnerin”.

Pearce më pas thotë: “Shaqiri është njëri ndër arsyet kryesore pse trajneri vendosi të mos transferojë lojtarë të rinj për repartin e sulmit gjatë këtij afati kalimtar”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart