Klopp konfirmon praninë e Van Dijk dhe Henderson ndaj Cityt, mungojnë 3 lojtarë


Gazeta Express
8 Nëntor 2019 22:10

Të dielën pasdite në orën 17:30 në Anfield do të luhet akti i parë i duelit Liverpool-Manchester City, një takim tepër i rëndësishëm që natyrisht pritet të influencojë ndjeshëm edhe në ecurinë e mëtejshme të këtyre dy klubeve.

Një ndeshje e shumëpritur që vështirë se do të përfundojë njësoj si vitin e kaluar, kur “the reds” dhe “sky blues” barazuan pa gola në Merseyside, megjithëse për hir të së vërtetës në atë takim të mbyllur dhe me fare pak raste për shënim Riyad Mahrez shpërdoroi një 11-metërsh vetëm 4′ para fundit, gjithsesi këtë radhë ndeshja pritet të interepretohet shumë më ndryshe, sepse ndryshe nga vjet këtë herë është Liverpooli që kryeson me 6 pikë më shumë në klasifikim, për më tepër ndonëse kanë 100% të pikëve në shtëpi duke fituar 5 nga 5 sfidat e luajtura në Anfield vendasit kanë pësuar gol në cdo takim brenda.

Trajneri Jurgen Klopp ka folur si zakonisht përpara ndeshjes së radhës në konferencën për shtyp dhe 52-vjeçari gjerman konfirmoi praninë e qendërmbrojtësit Virgil van Dijk për takimin më të fortë të javës së 12 të kampionatit anglez, pasi në shtypin britanik u hamendësua gjatë se 28-vjecari holandez ishte në dyshim për arsye dëmtimi. Trajneri shvab qartësoi se Van Dijk nuk ka patur asnjë lloj dëmtimi apo problemi fizik dhe tekniku i Liverpoolit shtoi se numri 4 do të jetë rregullisht në fushë, që nga minuta e parë.

Në fakt mbrojtësi shtatlartë nga Breda që mungoi në seancën stërvitore të ditës së enjte, drekoi me familjen mbretërore të Holandës, por në Mbretërinë e Bashkuar tifozët u shqetësuan dhe patën frikë se ekipi i tyre i zemrës do të duhej të përballonte në Anfield kampionët në fuqi të Manchester City-t pikërisht pa mbrojtësin, për të cilin drejtuesit e klubit shpenzuan në janarin e vitit të kaluar shifrën rekord prej plot 75 milionë stërlinash. Në konferencën e tij për shtyp Jurgen Klopp konfirmoi gjithashtu riaftësimin në kohë të kapitenit Jordan Henderson, që mungoi në mesjavë në takimin me Genkun në Champions League, gjithsesi trajneri gjerman shtoi se qendërmbrojtësi Joel Matip nuk është grumbulluar, pasi 28-vjeçari nga Kameruni vazhdon të ketë probleme fizike, ndërkaq për probleme të ngjashme nuk do të jenë në stol as dy lojtarët e tjerë Xherdan Shaqiri dhe Nathaniel Clyne.

Dihet Jurgen Klopp është një motivues i jashtëzakonshëm dhe në fakt trajneri gjerman i është përgjëruar jo vetëm futbollistëve të tij por gjithashtu edhe përkrahësve të zjarrtë të klubit për të bërë gjithcka për të siguruar një fitore që do t’i conte lojtarët e klubit të famshëm nga Merseyside në plot 9 pikë avantazh kundrejt “Citizens”.

Klopp shpjegoi se ekipi i tij duhet të bëjë ndeshjen më të mirë të mundshme, por ai tha gjithashtu se në krahun tjetër cdo njeri i pranishëm në Anfield duhet të jetë në formën e duhur për të mbështetur formacionin vendas, madje sipas tij edhe djemtë që shesin hot dog në stadium duhet të jenë gati për një duel të tillë. Stadiumi Anfield është shndërruar në një fortesë për vendasit, pasi brenda Liverpuli i ka mbyllur dy sezonet e fundit pa asnjë humbje. Vendasit nuk humbasin një sfidë brenda në Anfield në Premiership që nga 23 prilli i vitit 2017, kur “shqiponjat” e Crystal Palace-t nën drejtimin e ish-trajnerit të përfaqësueses angleze Sam Allardyce ia dolën mbanë për të fituar 2-1, falë dy golave të realizuar pikërisht nga ish-sulmuesi i “të kuqve” Christian Benteke.

Që nga ajo kohë skuadra e drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp numëron në shtëpi plot 45 ndeshje radhazi pa humbje në Premier League, 35 fitore e 10 barazime gjithsej, sidoqoftë vlen të përmendet bilanci i edicionit të kaluar në Anfield, me plot 17 fitore dhe vetëm 2 barazime. Pikërisht barazimi 1-1 me Leicester City-n dhe natyrisht edhe sfida që u mbyll me rrjeta të paprekura me skuadrën e Guardiolës, gjithsesi ajo përballje përfaqëson edhe rastin e vetëm në gjashtë vizitat e fundit në kampionat, kur citizens kanë dalë me pikë nga Anfield-i mitik. Liverpuli ka fituar 12 dhe barazuar 6 në 18 sfidat e fundit ndërmjet këtyre dy klubeve në Merseyside, në të gjithë kompeticionet, e për të gjetur suksesin e fundit të City-t në këtë stadium duhet shkuar në vitin e largët 2003, kur skuadra drejtohej nga një emër i madh si Kevin Keegan dhe “sky blues” dolën me 3 pikë të plota nga impianti i famshëm pas një 2-golëshi të sulmuesit francez Nicolas Anelka në çerek orën e fundit të takimit.

Te fundit


Kthehu lart