Kjo është aktakuza për Driton Gashin dhe Shpend Maxhunin


Berat Buzhala
20 Mars 2019 17:11

Prej momentit kur agjentët e AKI’së kanë kërkuar që gjashtë shtetasve turq t’u revokohet lejeqëndrimi në Kosovë, e deri në momentin kur ata janë ngarkuar në një avion për t’u nisur për në Turqi, ligjet e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare janë shkelur plot 29 herë.  Edhe më tutje askush asnjë përgjegjësi nuk e ka dhënë.

Ka mundësi që po flasim për një rekord botëror. Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, më datë 29 mars të vitit të kaluar, në një operacion që ka zgjatur tri orë, e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës plot 29 herë.

Ose mund ta themi edhe kështu: E kanë shkelur ligjin dhe kushtetutën çdo tre minuta. E çfarë është edhe më interesant, si duket asnjëri prej tyre gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka qënë i vetëdijshëm se çdo hap që po e bënte po e bënte ilegalisht. Të përfshirë në këtë operacion, më masivin kundërligjor në historinë e Kosovës, kanë qënë disa dhjetëra persona të uniformuar, por edhe disa të tjerë nga stafi civil.

Bëhet fjalë për operacionin e dëbimit/largimit me forcë nga Kosova të gjashtë shtetasve  turq, të etiketuar si gulenist, e që po kërkoheshin me ngulm nga lideri autoritar turk, Recep Taip Erdogan, se kinse ishin pjesë e një konspiracioni për rrëzimin e tij në një “grushtshtet” të verës së vitit 2016.  

Për ta hetuar këtë rast ishte formuar një komision hetimor parlamentar në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë punës së tij i ka intervistuar të madh e të vogël të përfshirë në operacion, përveç më të madhit fare, Presidentit Thaçi, i cili ka refuzuar që të merret në pyetje për arsye të panjohura.

Puna e këtij komisioni është përmbledhur në një raport briliant 74 faqësh të punuar nga eksperti amerikan Tienmu Ma, i cili i vë në pah me gjakftohtësi dhe paanime të gjitha shkeljet që kanë ndodhur në këtë proces, prej momentit kur AKI ka kërkuar nga Departamenti për Shetetësi dhe Azil që t’u revokohen lejeqëndrimet shtetasve turq, e deri në momentin kur këta shtetas, me thes në kokë, u ngujuan në avionin privat që kishte ardhur enkas për ta nga Turqia.

Ky në fakt nuk është thjesht një raport, kjo është një akatakuzë që do të duhej t’i dërgonte së paku deri në gjyq – nëse jo edhe pak më tutje – ish shefin e AKI’së Driton Gashin, aktualisht sekretar në Presidencë dhe shefin aktual të AKI’së, ish shefin e Policisë, Shpend Maxhunin dhe ish ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Nëse do të kishte ndonjë vepër penale për naivitet, ky i fundit do të duhej të ngarkohej edhe me këtë vepër. Mirëpo meqë nuk ka, atëherë Sefaj do të duhej t’i shoqëronte Gashin dhe Maxhunin, deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë.

Duke e marrë parasysh faktin që Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, është vëllamë me Maxhunin, e sëkëndejmi edhe besnik i Thaçit, gjasat janë minimale që ne do ta shohim një film të tillë, mirëpo, nëse jo sot, nesër kur drejtësia do të shkapet nga politika dikush do të duhej të merrej me këtë raport, respektivisht me Gashin, Maxhunin, Sefajn dhe atë, ose ata, që e dhanë urdhërin për dëbimin/largimin me forcë të shtetasve turq.

Krimi, në bazë të këtij raporti, kishte nisur një javë përpara se turqit të dëboheshin nga vendi ynë, atëherë kur agjentët e AKI’së në kundërshtim me ligjin kishin kërkuar nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim që atyre t’u revokohej leja e qëndrimit në Kosovë, kinse ata po e cenonin sigurinë kombëtare.

Mirëpo nën 2 i Ligjit për AKI’në, pika që flet për sigurinë kombëtare, tregon qartë se shtetasit turq në asnjë moment nuk paraqitnin një kërcënim të tillë. Aty thuhet se dikush paraqet kërcënim për sigurinë e vendit tonë nëse është i përfshirë në aktivitet terroriste, aktivitete kundër sigurisë së Kosovës, spiunazh, trafikim etj., por në asnjëren prej këtyre pikave aty nuk thuhet se kërcënim për vendin tonë paraqesin edhe ata persona që kërkohen prej një shteti tjetër. Sipas raportit, të përpiluar nga eksperti amerikan, agjentët e AKI’së e kanë shkelur ligjin kur e kanë interpretuar kështu ligjin, mirpëo edhe zyrtarët e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim e kanë shkelur ligjin kur e kanë marrë si të mirëqenë dhe si obligativ ‘urdhrin’ e AKI’së. Eksperti amerikan mendon që zyrtarët e këtij departamenti do të duhej që ta lexonin dhe interpretonin ligjin, sepse AKI nuk është institucion ekzekutiv dhe urdhërdhënës.  

Një rast tjetër mjaft ilustrativ i shkeljes së shumëfishtë të ligjit nga AKI dhe Policia e Kosovës është edhe dëbimi gabimisht i shtetasit turk Hasan Huseiyn Gunakan, duke e ngatërruar atë me një person tjetër që kishte emër deri dikur të njëjtë. Z. Gunakan gjatë gjithë kohës, prej momentit kur ishte ndaluar, e deri në momentin kur ishte futur dhunshëm në avion për t’u nisur për Turqi, i kishte paralajmëruar policinë dhe agjentët e AKI’së se po e nisnin gabimisht. Mirëpo, për fatin e keq të tij, asnjëri prej zyrtarëve të shtetit nuk po interesohej për ligjin gjatë atyre orëve. Ata e kishin vetëm një qëllim: gjashtë turq t’i nisnin për Turqi. Gjithashtu, sipas raportit, është shkelur edhe një ligj tjetër, kur autoritetet e Kosovës, pasiqë e kanë kuptuar që e kanë larguar një qytetar gabimisht, nuk kanë kërkuar që i njëjti të kthehet, ashtu siç e kërkon ligji.

Pastaj, një hendikep tjetër jashtëzakonisht i madh gjatë këtij procesi kishte qenë se në momentin kur turqit ishin ndaluar, policia e Kosovës nuk i kishte njoftuar ata më të drejtat që i gëzonin si të ndaluar, e as nuk u ishte shqiptuar urdhëri në një gjuhë që ata do ta kuptonin. Policia, thuhet në raport, nuk e ka pasur të qartë se arrestimi, ndalimi, shoqërimi, i një personi është e njëjta gjë. Në momentitn që atij i privohet liria, policia e ka për obligim që atë ta njoftojë me të drejtat që mund t’i përdorë, mirëpo zyrtarët policorë të intervistuar në Komisionin e Kuvendit kanë treguar që nuk i kanë ditur as të drejtat e tyre, e as të drejtat e personave të ndaluar.


“Sikur policia t’i kishte lejuar turqit që të angazhonin një avokat, ka mundësi që avokati do ta kishte ditur që ata do të kishin të drejtë të kërkonin azil, të drejtë të cilën e ka cdo i huaj”, thuhet në raport.

Policia kishte dështuar të sillet në përputhje me ligjin edhe në Aeroportin e Prishtinës, kur shtetasit turq po kalonin nëpër pikën kufitare. Në raport thuhet se turqit e dëbuar nuk ishin shënuar fare në Sistemin e Menaxhimit Kufitar, në të cilin sistem futen të gjitha ata udhëtar që hynë dhe dalin nga vendi ynë. Këtë lëshim policët e kanë justifikuar duke e cituar gabimisht ligjin, i cili nuk parasheh kurrfarë “kontrollimi të lehtësuar” siç kanë pandehur policia. Ligji për kalimin e kufirit, kur flet për “kontrollim të lehtësuar” flet kur në kufi ka trafik të madh dhe për ta shmangur atë policia duhet që të përshpejtojë procedurën, por asnjëherë nuk guxon që të mos i regjistrojë ata që kalojnë kufirin.

“Atë ditë në aeroport nuk ka pasë kurrfarë trafiku, e as kurrfarë nxitimi”, thuhet në raport, i cili gjithashtu e konsideron që ka pasur shkelje të rëndë të ligjit kur në urdhrin për deportimin e turqve nga Kosova ka pasur një paqartësi të qëllimshme. Sipas raportit janë dy mënyra ligjore se si dikush mund të largohet nga Kosova: largim me forcë është njëra dhe dëbim është tjetra. Ndonëse në lexim të parë duket e njëjta gjë, këto dy forma dallojnë në procedurë, prandaj organet e sigurisë qëllimshëm i kanë përzier, në mënyrë që t’ia pamundësonin turqve të drejtën e ankesës.

Raporti thotë më tutje që shkelje ligjore në rastin e shtetasve turq janë bërë edhe nga Ministria e Transportit, i cili institucion edhe pse është mashtruar nga kompania turke që e ka nisur avionin privat për t’i marrë gjashtë personat që po dëboheshin, asnjëherë nuk ka kërkuar që ajo kompani të dënohej për mashtrim, sipas ligjit. Me fjalë të tjera, prej momentit kur agjentët e AKI’së kanë kërkuar që gjashtë shtetasve turq t’u hiqet shtetësia, e deri në momentin kur ata janë shoqëruar me forcë për në avion, ky operacion ka qenë ilegal, anipse i realizuar nga organet e sigurisë. Ky është krimi më i madh i organizuar i kryer nga shtetit që prej shpalljes së pavarësisë. Krimi është edhe më serioz kur dihet që ata që e realizuan skenarin vazhdojnë të mbajnë pozita të larta shtetërore.

Madje është shumë për keqardhje kur e dëgjon edhe Kryeministrin Haradinaj duke e konsideruar këtë si një temë të mbyllur, madje duke i thurrur lave kreut aktual të AKI’së, Shpend Maxhunit, për të cilin kur ka raportuar në komision Driton Gashi ka thënë që ishte i informuar për operacionin disa ditë përpara se ai të ndodhte.   

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart